Shqipëria Postuar më 30 Korrik 2026, 09:56

Rritet numri i mjeteve të çregjistruara/ Janar-qershor, mbi 4.800 automjete të vjetra dalin nga qarkullimi

Nga Ernilda Luzi

Rritet numri i mjeteve të çregjistruara/ Janar-qershor, mbi 4.800

Janë rritur çregjistrimet e automjeteve që nuk plotësojnë standardet e sigurisë në vend. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, gjatë periudhës janar- qershor 2026 janë çregjistruar përfundimisht 4 mijë e 880 mjete, me moshë mesatare 22-vjeçare. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i tyre është rritur me 28.5%.

Sipas DPSHTRR-së, arsyet kryesore të çregjistrimit lidhen me mosplotësimin e standardeve të sigurisë, gjendjen teknike të papërshtatshme, amortizim dhe konsumin të lartë të automjeteve.

Ndërkohë, kontrollet teknike të mjeteve kanë vijuar në të gjitha qendrat e kontrollit teknik në vend. Tirana mban peshën kryesore të testimeve, me 73 mijë e 224 mjete të kontrolluara, ose 36.4% të totalit kombëtar.

Pas Tiranës renditen Durrësi me 27 mijë e 950 kontrolle, Fieri me 17 mijë e 639 dhe Elbasani me 13 mijë e 128 mjete të testuara.

Më tej, në Shkodër janë kryer 12 mijë e 446 kontrolle teknike, në Laç 10 mijë e 99, ndërsa në Berat, Vlorë dhe Korçë janë testuar nga rreth 9 deri në 10 mijë mjete.

Numri më i ulët i kontrolleve është regjistruar në Dibër, Sarandë, Kukës dhe Gjirokastër, ku janë testuar nga rreth 4 deri në 5 mijë automjete secila.

Kontrolli teknik dhe largimi nga qarkullimi i mjeteve të amortizuara mbeten masa të rëndësishme për rritjen e sigurisë rrugore dhe përmirësimin e standardeve të flotës së automjeteve në vend.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat