Shqipëria Postuar më 27 Nëntor 2025, 10:40

Rritet me 15% përpunimi i mallrave në portin e Durrësit - Eksportet dominuan zgjerimin gjatë 10 muajve

Nga Ernilda Luzi

Rritet me 15% përpunimi i mallrave në portin e Durrësit -

Segmenti i përpunimit të mallrave me konteinerë në Portin e Durrësit ka shënuar një performancë pozitive gjatë periudhës janar–tetor 2025. Autoriteti Portual Durrës bën të ditur se janë rritur me 15% volumet e përpunimit të mallrave me konteinerë, me 189.835 konteinerë të trajtuara ose 15% më shumë se një vit më parë. Ky tregues pasqyron intensifikimin e flukseve të mallrave të konteinerizuara dhe rritjen e eficiencës së zinxhirit të furnizimit. 

Po kështu, kjo rritje shoqërohet edhe me një dinamikë më të fortë tregtare, ku importet janë rritur me 14% ndërsa eksportet janë ato që dominojnë me 16%, duke reflektuar një rritje progresive më solide në transportin ndërkombëtar të mallrave me konteinerë, duke e renditur kështu Portin e Durrësit në një ndër nyjet më të konsoliduara logjistike në rajon.

Porti i Durrësit është porti kryesor i Shqipërisë, që vijon të luajë një rol të rëndësishëm në lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, duke konfirmuar rëndësinë e tij strategjike në ekonominë e vendit.

Ndërkohë, sipas Autoritetit Portual Durrës, në total janë përpunuar 1 milion e 745 mijë e 776 ton mallra, duke regjistruar një rritje prej 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit që lamë pas.

Porti i Durrësit vijon të mbetet nyja më e rëndësishme detare dhe logjistike e Shqipërisë, duke përmbushur me efikasitet kërkesat e tregut dhe duke garantuar standarde bashkëkohore në operacionet e tij. Tendenca pozitive konfirmon fuqizimin e rolit të portit në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në integrimin e tij në rrjetet rajonale dhe ndërkombëtare të transportit.

 

 

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat