Shqipëria Postuar më 5 Maj 2025, 11:18

Rritet konsumi i karburantit dhe kafesë - Mallrat e akcizës, zhdoganohen më pak cigare

Nga Elisabeta Dosku

Rritet konsumi i karburantit dhe kafesë - Mallrat e akcizës,

Qytetarët shqiptarë dhe turistë e huaj e kanë nisur këtë vit me rritje të konsumit karburantit dhe mallrave të tjerë të akcizës.

Deri në muajin Mars 2025 janë importuar dhe rrjedhimisht kanë shkuar për konsum nga afro 158.7 mijë ton karburant. Krahasuar me janar-mars 2024,  importet e këtij produkti kanë kapërcyer me 21.1 mijë tonë më shumë.

Rritja e konsumit të karburanteve, si një nga produktet kryesore që ndikon në zinxhirin ekonomik të mallrave dhe shërbimeve, sinjalizon rritje të kërkesës së brendshme dhe rritje ekonomike.

Po ashtu, sinjalizon edhe nisjen e një viti të mbarë turistik dhe më shumë shpenzime nga ana e qytetarëve shqiptarë. Një nga arsyet është edhe rënia e çmimit të naftës në treg, e cila aktualisht tregtohet mesatarisht me një çmim 175 lekë për litër, çka i bën qytetarët të lëvizin më shumë përgjatë fundjavave dhe të shfrytëzojnë pushimet afatshkurtra. Po ashtu shtrirja e sezonit turistik përgjatë gjithë vitit, ku nuk kemi vetëm turistë të interesuar për zonat bregdetare, por edhe për të vizituar qytete turistike të vendit, dhe pjesë e mirë vijnë me automjete personale apo marrin makina me qira, ka bërë që të rritet ndjeshëm konsumi.

Po ashtu, rritje të ndjeshme ka pasur dhe importi i birrës, ku duket se strukturat akomoduese po bëhen gati të presin më shumë turistë. Në 3 mujorin e parë 2025 janë importuar 10.300 ton birrë, nga 9638 ton të importuara në janar-mars 2024.

Por përpos rolit që luan turizmi në importin e këtij produkti, blerja e sasive të konsiderueshme nga jashtë është favorizuar edhe nga unifikimi i akcizës për prodhimin vendas, ka sjellë disavantazh për fabrikat që operojnë në Shqipëri të cilat po përballen me kosto të larta dhe vështirësi të shumta, por nga ana tjetër ka krijuar më shumë terren për importuesit. 

Importi i kafesë po ashtu ka ardhur në rritje, ku në 3-mujorin e parë të vitit janë importuar 2141 ton,  me një rritje prej 586 ton në raport me një vit më parë.

Ndërsa importi i cigares ka pasur një rënie me 188 ton,  ku në tre muaj janë importuar 497 ton nga 685 ton në janar-mars 2024.

Të ardhurat nga akciza për periudhën janar-mars 2025 u regjistruan në 14.6 miliardë lekë, duke shënuar rritje me 11.6 % në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, apo afro 1.5 miliardë lekë.

Sondazh

Poll
Shqipëria 5 Maj Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan edhe këtë fillim jave vijon të humbasë pikë pasi është blerë sot me 86.3 lekë dhe është shitur me 87.3 lekë në raport me javën që lamë pas......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat