Shqipëria Postuar më 22 Tetor 2025, 10:44

Rritet fluksi i udhëtarëve në Portin e Durrësit - Janar-shtator, regjistrohen mbi 654 mijë pasagjerë

Nga Ernilda Luzi

Rritet fluksi i udhëtarëve në Portin e Durrësit -

Porti i Durrësit vijon të mbetet porta kryesore e lëvizjes detare të udhëtarëve në vend. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Autoriteti Portual i Durrësit, gjatë 9 muajve të parë të vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 654.420 pasagjerë, duke shënuar një rritje prej 2% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat tregojnë se janë regjistruar 306.600 pasagjerë në hyrje dhe 347.820 pasagjerë në dalje, çka përbën 9.828 pasagjerë më shumë krahasuar me vitin 2024. Këto shifra reflektojnë jo vetëm intensifikimin e udhëtimeve, por edhe numrin e lartë të turistëve që kanë zgjedhur Shqipërinë gjatë muajve të sezonit veror.

Vetëm gjatë muajit shtator 2025 janë regjistruar 64.658 pasagjerë, të cilët kanë udhëtuar kryesisht drejt porteve italiane të Barit dhe Ankonës, që mbeten dhe linjat më të frekuentuara. Këto shifra dëshmojnë vijimësinë e flukseve të larta të udhëtimeve detare.

Autoriteti Portual Durrës vijon të investojë në infrastrukturë dhe shërbime, për të përballuar më mirë flukset në rritje dhe për të përmirësuar përvojën e udhëtarëve.

Porti i Durrësit është porti kryesor i Shqipërisë, që vijon të luajë një rol të rëndësishëm në lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, duke konfirmuar rëndësinë e tij strategjike në ekonominë e vendit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat