Shqipëria Postuar më 2 Tetor 2025, 10:22

Rritet fluksi i pasagjerëve në Portin e Sarandës/ Zv.kryeministrja Balluku: 140.600 pasagjerë vetëm në shtator

Nga Ernilda Luzi

Rritet fluksi i pasagjerëve në Portin e Sarandës/

Porti i Sarandës, si porta jugore e turizmit në vend ka vijuar të shënojë rritje të ndjeshme të fluksit të pasagjerëve edhe gjatë muajit shtator.

Zv.kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur në rrjetet sociale shifrat e pasagjerëve përgjatë muajit shtator, si dhe për periudhën 9-mujore të këtij viti.

Sipas të dhënave, në Portin e Sarandës kanë hyrë dhe kanë dalë 140.600 pasagjerë vetëm në muajin shtator, një rritje prej 29% krahasuar me shtatorin e vitit 2024, që regjistroi 108.824 pasagjerë në hyrje dhe dalje.

Ndërsa, gjatë periudhës 9-mujore, në port kanë hyrë dhe kanë dalë 686.400 pasagjerë, 23% më shumë se e njëjta periudhë e 2024, që regjistroi 557.880 pasagjerë.

Sipas z.kryeministres Balluku, ky trend dëshmon se interesi për zonën jugore mbetet i lartë edhe përtej sezonit veror, duke reflektuar një zgjerim të qëndrueshëm të sektorit të turizmit. Porti i Sarandës u shërben jo vetëm qytetit, por gjithë rivierës jugore, duke qenë një pikë kyçe lidhëse për vizitorët vendas dhe të huaj.

Porti detar i Sarandës po konsolidohet, si një nga pikat më të rëndësishme hyrëse për turizmin në jug të Shqipërisë. Me rritjen e vazhdueshme të fluksit turistik, Saranda po afirmohet si një nga destinacionet më të preferuara për pushime verore, jo vetëm për vizitorët vendas, por edhe për mijëra turistë të huaj që zgjedhin rivierën shqiptare për bukuritë natyrore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat