Shqipëria Postuar më 24 Nëntor 2025, 11:24

Rriten volumet e energjisë në Bursën Shqiptare/ 9-mujori shënon dhe rritje të çmimeve, vlera e transaksioneve arriti në gati 159 mln euro

Nga Ola Mitre

Rriten volumet e energjisë në Bursën Shqiptare/ 9-mujori

Mbi 1.36 mln mWh energji u tregtua në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike gjatë 9-mujorit të këtij viti, teksa vlera e transaksioneve përllogaritet në gati 159 mln euro. Sipas të dhënave të Tregut të Ditës së Avancë të raportuara nga ALPEX çmimi mesatar u regjistrua në rreth 118 euro/mWh, një çmim gati 18% më i lartë se 9 - mujori i vitit të kaluar. Po ashtu, të dhënat tregojnë se ka një rritje të volumit të energjisë së tregtuar në bursë, në raport me periudhën janar – shtator 2024. Sipas të dhënave të përpunuara nga TV SCAN në 9-mujorin e këtij viti janë tregtuar gati 245 mijë mWh energji më shumë se e njëta periudhë e vitit të kaluar.

Ndërkaq, ALPEX ka raportuar edhe shifrat e Tregut të Ankandeve Brenda së Njëjtës Ditë, që nisën të zhvillohen në dhjetor të vitit të kaluar. Kështu, për periudhën janar – shtator një volum total prej 10715 mWh i energjisë elektrike u tregtua në këtë treg të ALPEX-it, me një çmim klerues mesatar prej 155 euro/mWh.

Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike menaxhon dhe operon tregut e organizuar me shumicë të energjisë elektrike për zonat e ofertimit të Shqipërisë dhe Kosovës.

Që prej nisjes së funksionimit, ALPEX ka patur një sërë sfidash në drejtim të rritjes së anëtarëve dhe volumeve të tregtuar nëpërmjet këtij mekanizimi. Megjithatë, ende ka sfida që duhet të adresohen. Në këtë kuadër do të duhet të lehtësohet funksionimi i tregut të organizuar të energjisë nëpërmjet ALPEX për konsumatorët, teksa ky është një prej komponentëve të kredisë prej 113.6 mln euro që ka marrë qeveria shqiptare nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për të mbështetur fazën e dytë të programit “Aftësia ripërtëritëse dhe zhvillimi i gjelbër”.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat