Shqipëria Postuar më 6 Dhjetor 2024, 13:53

Rriten me 3.8% investimet totale në Shqipëri - BSH: Megjithatë, raporti i tyre ndaj PBB-së ka pësuar një ulje të vogël

Nga Ledina Elezi

Rriten me 3.8% investimet totale në Shqipëri - BSH: Megjithatë,

Investimet në vendin tonë, qofshin ato të realizuara nga shteti, apo nga sektori privat, janë rritur në mënyrë të konsiderueshme përgjatë këtij viti. Pavarësisht kësaj, raporti i investimeve ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto në tremujorin e dytë, ka pësuar një ulje të vogël në krahasim me tremujorin e parë.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet totale u rritën me 3.8% në tremujorin e dytë, ritëm ky i ngjashëm me tremujorin e parë të vitit. Në masën më të madhe, këto investime morën formën e infrastrukturës publike, të ambienteve të biznesit dhe të ndërtesave rezidenciale, sikundër sugjerohet nga rritja me rreth 10.1% e vlerës së shtuar në ndërtim.

Paralelisht me të, rritje ka pasur edhe investimi i bizneseve në makineri e pajisje, e cila dëshmohet në shifrat më të larta të importeve. Nëse i referohemi INSTAT, importet në këtë dhjetëmujor janë rritur me 2% në krahasim me vitin e kaluar. Vlera e importit të makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit u regjistrua në 196 miliardë.

Zgjerimi i investimeve vijon të mbështetet nga nevoja për zgjerim kapacitetesh, prodhimi e shërbimi, në përgjigje të pamjaftueshmërisë së kapaciteteve ekzistuese, besimit pozitiv për të ardhmen, si dhe bilanceve likuide, kushteve të favorshme të financimit dhe zgjerimit të shpejtë të kredisë.

Të dhënat indirekte sasiore dhe ato nga vrojtimet sugjerojnë një ritëm të ngjashëm rritjeje të investimeve edhe në tremujorin e tretë. Importi i makinerive dhe pajisjeve regjistroi rritje dyshifrore. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve është në nivele mjaft të larta dhe gjendja financiare e bizneseve ka vijuar të përmirësohet.

Po sa përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto zënë investimet kombëtare?

Nga statistikat zyrtare të Bankës së Shqipërisë rezulton se raporti i investimeve ndaj PBB-së llogaritet në 21.7%, me ulje 0.7 pikë përqindje. Investimet publike janë në nivelin 3.8% të PBB, ndërkohë që investimet private në nivelin 17.9% të PBB-së.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat