Shqipëria Postuar më 12 Gusht 2025, 11:08

Rreth 65% e borxhit të brendshëm mbahet nga bankat - Shumica e tij gjendet në obligacione. Bie edhe raporti ndaj PBB

Nga Ledina Elezi

Rreth 65% e borxhit të brendshëm mbahet nga bankat - Shumica e tij

Borxhi i brendshëm ka arritur shifra rekord gjatë këtij viti. Sipas buletinit statistikor të Ministrisë së Financave, ky stok vlerësohet të ketë kapur vlerën e 798 miliardë lekëve, shifër kjo rreth 1.3% më e lartë se në 2024.

Pjesa më e madhe e borxhit të brendshëm është në instrumenta afatgjatë. Rreth 74% e tij gjendet në obligacione dhe vetëm 24% në instrumente afatshkurtra, pra bono thesari. Për sa i përket instrumentave afatgjatë, obligacionet 5 vjeçare kanë vlerën më të lartë prej 137 miliardë lekësh, ndërsa obligacionet 20 vjeçare, të cilat u emetuan për herë të parë gjatë këtij viti si testim tregu, kanë peshën më të ulët në borxh.

Lidhur me bonot e thesarit, ato 12-mujore kapin një shifër prej 184 miliardë lekësh, ndërsa borxhi i brendshëm në bono 3-mujore rezulton të jetë rritur për herë të parë që prej 2023. Borxhi në obligacione ka pësuar një rritje prej 13.5% në krahasim me 2023, ndërsa ai në instrumenta afatshkurtër vijon të bjerë.

Në ndryshim nga viti 2023 ku borxhi i brendshëm ishte 99% në lek dhe 1% në monedhë të huaj, në 2024 dhe në tremujorin e dytë të 2025, i gjithë borxhi ishte në monedhën tonë kombëtare.

Statistikat zyrtare tregojnë se pjesa më e madhe e huamarrjes së brendshme të qeverisë mbahet nga bankat, pra shumica e letrave me vlerë të qeverisë blihen nga ana e tyre.

Rreth 9.5% e borxhit të brendshëm mbahet nga individët, 14.7% nga institucione financiare, 7.4% prej Bankës së Shqipërisë, 0.6% nga të huajt dhe thuajse 64.8% mbahet nga sistemi bankar ku 8.8% nga vetë klientët e bankës.

Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), stoku total i borxhit të brendshëm regjistrohet në 30.5%, duke shënuar kështu një rënie me gati 2.6%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat