Shqipëria Postuar më 2 Prill 2025, 09:42

Rreth 2.7 mld euro për pushime jashtë vendit - BSH: Shqiptarët, 17.4% më shumë shpenzime në 2024

Nga Ledina Elezi

Rreth 2.7 mld euro për pushime jashtë vendit - BSH: Shqiptarët,

Shqiptarët kanë shpenzuar 2.7 miliardë euro për udhëtime jashtë vendit në vitin 2024. Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se udhëtarët rezidentë (duke përfshirë këtu shqiptarë dhe të huaj që jetojnë në Shqipëri) kanë shpenzuar 17.4% ose 400 milionë euro më shumë se në 2023.

Kjo rritje tregon se më shumë shqiptarë po zgjedhin t'i kalojnë pushimet e tyre jashtë vendit, por edhe po shpenzojnë më shumë para.

Gjatë sezonit veror, konkretisht në korrik-gusht-shtator, që është periudha me fluks hyrje-daljesh, shpenzimet arrijnë në shifra rekord. Vetëm përgjatë këtyre muajve, qytetarët shqiptarë kanë shpenzuar 879 milionë euro për akomodim, transport, ushqim, argëtim, blerje dhe shërbime të tjera në pushimet e tyre jashtë vendit.

Në tremujorin e parë rezulton të jenë shpenzuar më pak, rreth 512 milionë euro, ndërsa në tremujorin e dytë dhe të katërt janë shpenzuar përkatësisht 688 milionë dhe 612 milionë euro.

Nga ana tjetër, tregtia ndërkombëtare e shërbimeve, e cila i referohet të ardhurave (eksport) dhe shpenzimeve (import) të tregtisë në shërbime ndërmjet Shqipërisë dhe pjesës tjetër të botës, u mbyll me një balancë pozitive, prej rreth 886 milionë euro, e zgjeruar në terma vjetorë me rreth 19%. Kjo ecuri u diktua nga zgjerimi i të ardhurave neto të udhëtimeve, në reflektim të konsiderueshëm të numrit të udhëtarëve të huaj në Shqipëri.

Sipas Bankës së Shqipërisë, shërbimet e udhëtimit që përfshijnë akomodimin, transportin, ushqim, argëtim etj, kanë zgjeruar balancën pozitive në +523 milionë euro, kundrejt nivelit +376 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në terma vjetorë, të ardhurat dhe shpenzimet e kësaj kategorie u rritën respektivisht me rreth 19% dhe 5%. Rritja e numrit të udhëtarëve përbën faktorin përcaktues për këtë ecuri. Në të njëjtën kohë, shpenzimi ditor dhe kohëqëndrimi për udhëtar janë vlerësuar në rritje.

 

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat