Shqipëria Postuar më 10 Mars 2025, 13:36

Rreth 246 mijë emigrantë, votues më 11 maj - Shifrat përfundimtare nga KQZ. 40.6%, nga Italia. U refuzuan 48,180 kërkesa

Nga Ernilda Luzi

Rreth 246 mijë emigrantë, votues më 11 maj - Shifrat

Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit pritet të votojnë 245,975 persona nga diaspora. Shifra e mësipërme është zyrtarizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pas procesit të shqyrtimit të aplikimeve të fundit. Referuar të dhënave zyrtare, 294,155 është shifra e zgjedhësve unikë, të cilët kishin bërë kërkesë për regjistrim. Ndërkohë, 48,180 prej tyre iu refuzua kërkesa.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit pritet të votojnë më shumë emigrantë nga Italia, 40.6% e totalit të regjistrimeve, ndjekur nga Greqia me 28.3%, Gjermania me 10%, SHBA me 6.6% etj.  

Pak ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi vendimin për të krijuar strukturën e posaçme që do të mbështesë procesin e votimit të diasporës ku pritet të rekrutohen 80 persona.

5 specialistë do të rekrutohen për një periudhë 6 mujore ndërsa 75 specialistë të tjerë për një periudhë 3 mujore. Nga këta, 20 prej tyre do të jenë operatorë për administrimin e votës.

Gjithashtu, KQZ i ka kërkuar Kuvendit dhe Ministrisë së Financave fonde shtesë për procesin e votimit të emigrantëve për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit. Nevojiten 7,5 milionë euro shtesë për mbulimin e shërbimit postar, duke e çuar totalin për këtë zë në 12,5 milionë euro.

Gjithashtu, kërkohen 870 mijë euro shtesë suport për votimin elektronik, 280 mijë euro paga e sigurime per punonjësit e përkohshëm, 263 mije euro për sistemet  e teknologjisë së informacionit, etj.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat