Shqipëria Postuar më 19 Mars 2026, 11:39

Rregulla të reja për tregun e kapitalit - Kompanitë do të duhet të raportojnë më shumë informacion për investitorët dhe publikun

Nga Ledina Elezi

Rregulla të reja për tregun e kapitalit - Kompanitë do të

Kompanitë që kanë aksione apo obligacione të listuara në tregjet financiare do të duhet të publikojnë më shumë informacion mbi aktivitetin dhe gjendjen e tyre financiare. Një projektligj i ri për kërkesat e transparencës së emetuesve të titujve synon të vendosë rregulla më të qarta për raportimin dhe publikimin e të dhënave që lidhen me këto kompani.

Sipas draftit, shoqëritë e listuara do të jenë të detyruara të publikojnë rregullisht raportet financiare vjetore dhe gjashtëmujore, duke i bërë ato të aksesueshme për investitorët dhe publikun. Qëllimi është që kushdo që investon në tregun e kapitalit të ketë informacion të plotë dhe të besueshëm për gjendjen financiare dhe performancën e kompanive.

Projektligji parashikon gjithashtu më shumë transparencë mbi strukturën e pronësisë. Aksionarët që blejnë ose shesin pjesë të rëndësishme të aksioneve do të duhet ta deklarojnë këtë, nëse kalojnë pragje të caktuara të zotërimit. Kjo synon të shmangë manipulimin e tregut dhe përdorimin e informacionit të brendshëm për përfitime të padrejta.

Një tjetër ndryshim lidhet me publikimin dhe ruajtjen e informacionit. Të gjitha të dhënat e rëndësishme financiare do të depozitohen pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe do të jenë të aksesueshme për publikun përmes mekanizmave zyrtarë të publikimit.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të mbikëqyrë zbatimin e këtyre rregullave dhe do të ketë kompetenca për të marrë masa administrative ose për të vendosur gjoba në rast shkeljesh.

Ndryshimet synojnë të rrisin besimin e investitorëve dhe të ndihmojnë zhvillimin e tregut të kapitalit në Shqipëri, duke e afruar atë me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian. Aktualisht, tregjet e kapitalit në Shqipëri janë në fazë zhvillimi dhe karakterizohen nga një numër i kufizuar emetuesish dhe nivel relativisht i ulët i aktivitetit tregtar. Mungesa e kërkesave të unifikuara dhe të standardizuara për publikimin dhe aksesin në informacionin e rregulluar mund të çojë në asimetri informacioni, ulje të besimit në treg, rritje të rrezikut të sjelljeve abuzive dhe vështirësi në mbikëqyrje.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat