Shqipëria Postuar më 17 Janar 2026, 10:13

Rregulla të reja për tregjet e peshkut- Pr.ligji/ Produktet do të shoqërohen me origjinën dhe kategoritë

Nga Elisabeta Dosku

Rregulla të reja për tregjet e peshkut- Pr.ligji/ Produktet do të

Qeveria do të vendosë rregulla të reja për tregjet e produkteve të peshkimit, duke krijuar një mekanizëm të qartë për funksionimin e tij, sipas standardeve të Bashkimit Europian me qëllim rritjen e besueshmërisë së produkteve shqiptare të peshkimit dhe akuakulturës në tregjet vendase dhe ndërkombëtare.

Projektligji i hedhur për konsultim publik, vë theksin tek zbatimi i standardeve të tregtimit dhe vendosja e detyrimit për transparencë në etiketimin e produkteve.

Konkretisht, sipas projektligjit,  produktet e destinuara për konsum njerëzor duhet të shoqërohen me etiketë që përfshin emrin tregtar dhe shkencor, metodën e prodhimit, zonën e zënies ose kultivimit, mjetet e përdorura për peshkim, nëse janë shkrirë dhe, kur është e nevojshme, datën e jetëgjatësisë. Ky informacion është i detyrueshëm dhe zbatueshëm edhe për institucionet që përdorin këto produkte si shkolla, spitale, mensa apo burgje. Për produkte të përziera specifikohet metoda dhe zona përkatëse sipas sasisë më të përfaqësuar. Ministria mund të përjashtojë nga ky detyrim sasi të vogla të shitura direkt nga anijet e peshkimit.

Nga ana tjetër, organizatat janë të detyruara të hartojnë një listë me emrat tregtarë dhe shkencorë të specieve që tregtohen dhe ta përditësojnë atë pranë ministrisë. Zona e origjinës së produktit përcaktohet në varësi të llojit të ujërave apo vendit të kultivimit dhe mund të paraqitet edhe përmes hartave ose piktogramëve.

Operatorët kanë të drejtë të ofrojnë informacion shtesë për produktet, përfshirë data, portin e zbarkimit, mjetet e përdorura, detaje mjedisore apo sociale, me kusht që ky informacion të jetë i verifikueshëm dhe të mos zëvendësojë informacionin e detyrueshëm.

Institucioni përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe akuakulturës ka për detyrë të mbledhë dhe analizojë të dhënat për tregun e brendshëm, të kryejë anketa dhe studime mbi çmimet dhe të sigurojë që informacioni të jetë i aksesueshëm për palët e interesuara. Organizatat kontribuojnë në këtë proces duke bashkëpunuar për përmirësimin e qarkullimit të informacionit në zinxhirin e furnizimit.

Po ashtu në draft përcaktohet edhe mekanizmi i ruajtjes së produkteve, që synon stabilizimin e tregut në rastet kur nuk sigurohet shitja në çmimet e përcaktuara. Përshkruhen kushtet për ruajtje, trajtimet e lejueshme, periudhat minimale dhe mënyra e rikthimit të produkteve në treg. Vendosen kriteret dhe procedurat për përcaktimin e çmimeve kufi, të cilat shërbejnë për aktivizimin e mekanizmit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat