Shqipëria Postuar më 12 Gusht 2026, 10:19

Rregulla të reja për tenderët e mbrojtjes dhe sigurisë - Më shumë transparencë e konkurrencë. Ankande elektronike, kontroll i fortë i ofertave

Nga Ledina Elezi

Rregulla të reja për tenderët e mbrojtjes dhe sigurisë -

Prokurime më të kontrolluara dhe më shumë transparencë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ky është synimi i projektligjit të ri për prokurimet në mbrojtje dhe siguri që pritet të zëvendësojë ligjin aktual të vitit 2020 dhe të sjellë rregulla të reja për mënyrën se si shteti blen pajisje, mallra dhe shërbime për mbrojtjen dhe sigurinë.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me transparencën dhe konkurrencën. Projektligji kërkon që procedurat të zhvillohen me trajtim të barabartë dhe pa diskriminim për operatorët ekonomikë, ndërsa synon edhe përdorim më të mirë të fondeve publike.

Për herë të parë në këtë kuadër rregullohet më qartë edhe ankandi elektronik. Në rastet kur specifikimet mund të përcaktohen saktë, kompanitë mund të konkurrojnë në mënyrë elektronike duke paraqitur çmime ose vlera të reja. Përdorimi i ankandit duhet të bëhet i ditur që në njoftimin e kontratës.

Një tjetër element është kontrolli i ofertave shumë të ulëta. Kur një ofertë duket anormalisht e ulët, ajo nuk mund të refuzohet menjëherë. Kompanisë duhet t'i kërkohet të shpjegojë se si është arritur çmimi dhe nëse shpjegimet nuk janë bindëse, atëherë oferta mund të refuzohet.

Një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe sigurisë së furnizimit. Në kontrata mund të vendosen kërkesa për garantimin e vazhdimësisë së furnizimeve, mirëmbajtjen dhe modernizimin e pajisjeve, si dhe për përballimin e nevojave shtesë në rast krize. Nëse këto kërkesa nuk plotësohen, operatori mund të skualifikohet ose kontrata mund të zgjidhet.

Edhe nënkontraktimi merr rregulla të reja. Kompanitë fituese duhet të veprojnë në mënyrë transparente dhe t'i trajtojnë në mënyrë të barabartë dhe jodiskriminuese kompanitë që marrin pjesë si nënkontraktorë.

Në rastet kur një kontratë jepet pa shpallje paraprake, mund të publikohet një njoftim për transparencë dhe duhet të respektohet një periudhë prej të paktën 10 ditësh para lidhjes së kontratës.

Ankimet e kompanive vijojnë të shqyrtohen nga Komisioni i Prokurimit Publik, si organ i specializuar dhe i ndarë nga autoriteti që zhvillon tenderin.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat