Shqipëria Postuar më 2 Shtator 2026, 11:04

Rregulla të reja për projektet strategjike të energjisë - Investimet me interes për Komunitetin e Energjisë. Nga hidrogjeni, te rrjetet në det

Nga Ola Mitre

Rregulla të reja për projektet strategjike të energjisë -

Qeveria ka miratuar rregullat e reja për zhvillimin e projekteve të infrastrukturës energjetike rajonale dhe transevropiane, duke përcaktuar procedura të posaçme për investimet që konsiderohen me interes për Komunitetin e Energjisë apo me interes të ndërsjellë me Bashkimin Evropian.

Vendimi synon përshpejtimin e projekteve ndërkufitare në sektorin energjetik, përmes thjeshtimit dhe koordinimit të procedurave të lejeve, si dhe krijimit të mundësive për mbështetje financiare nga instrumentet e Bashkimit Evropian. Rregullat janë përafruar plotësisht me legjislacionin evropian për infrastrukturën energjetike transevropiane.

Sipas vendimit, projektet që përfshihen në listën e Komunitetit të Energjisë do të marrin statusin e çështjeve me rëndësi kombëtare dhe dosjet e tyre duhet të trajtohen në mënyrën më të shpejtë të mundshme nga institucionet. Edhe procedurat gjyqësore apo ankimore që lidhen me këto projekte do të trajtohen si urgjente.

Rregullat vendosin gjithashtu afate konkrete për procesin e miratimit. Procedura para aplikimit parashikohet të zgjasë deri në 24 muaj, ndërsa procedura ligjore për dhënien e lejeve nuk duhet të tejkalojë 18 muaj. Në total, të dyja fazat nuk duhet të kalojnë 42 muaj, megjithëse në raste të caktuara afatet mund të zgjaten deri në 9 muaj.

Ndryshimet mbulojnë një gamë të gjerë investimesh, nga linjat ndërkufitare të transmetimit dhe impiantet e depozitimit të energjisë, deri te rrjetet inteligjente, infrastruktura offshore, hidrogjeni, elektrolizuesit dhe sistemet për transportin dhe depozitimin e dioksidit të karbonit.

Një nga korridoret prioritare që përfshin drejtpërdrejt Shqipërinë është ai i rrjeteve energjetike në det të hapur në Mesdhe, së bashku me Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën. Ai parashikon zhvillimin e rrjeteve elektrike offshore dhe, sipas rastit, të infrastrukturës së hidrogjenit, me qëllim integrimin e energjisë së rinovueshme dhe rritjen e shkëmbimeve ndërkufitare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat