Shqipëria Postuar më 12 Qershor 2026, 10:39

Rregulla të reja për pagesat në bastet sportive online - Kontrolle të rrepta, çdo transaksion do të gjurmohet

Nga Ernilda Luzi

Rregulla të reja për pagesat në bastet sportive online -

Ministria e Financave ka miratuar një udhëzim të ri që vendos procedurat dhe standardet për kryerjen e pagesave dhe tërheqjeve të fondeve në kategorinë “Baste sportive online”.  Referuar udhëzimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, janë vendosur rregulla të detajuara për operatorët e licencuar dhe institucionet financiare që do të ndërmjetësojnë transaksionet, me synimin për të garantuar më shumë transparencë, siguri dhe kontroll në këtë sektor.

Sipas udhëzimit, çdo pagesë apo tërheqje fondesh do të kryhet vetëm përmes agjentëve financiarë të licencuar nga Banka e Shqipërisë. Ndërkohë, operatorëve u ndalohet kryerja e pagesave me para në dorë. Çdo transaksion duhet të jetë i identifikueshëm dhe i gjurmueshëm në sistemet e operatorit, të institucionit financiar dhe në Sistemin Qendror të Monitorimit Online, i cili administrohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

Një nga elementet kryesore të udhëzimit lidhet me verifikimin e identitetit të lojtarëve. Operatorët do të jenë të detyruar të kontrollojnë identitetin e çdo përdoruesi përpara aktivizimit të llogarisë së lojës dhe të sigurohen që mjeti i pagesës i përdorur për depozitimin apo tërheqjen e fondeve i përket të njëjtit person. Në rast të mospërputhjes së të dhënave, transaksioni do të refuzohet automatikisht.

Dokumenti përcakton gjithashtu se në sistem do të lejohet vetëm një llogari për çdo lojtar. Po ashtu, nuk do të pranohen persona nën moshën 21-vjeçare, si dhe individë të përfshirë në listën e vetëpërjashtimit të administruar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Organizatorët janë të detyruar të zbatojnë menjëherë kërkesat për vetëpërjashtim dhe kufizimet përkatëse.

Për të garantuar sigurinë e fondeve, operatorët duhet të mbajnë një llogari të veçantë ku ruhen ekskluzivisht paratë e lojtarëve.

Rregulla të posaçme janë vendosur edhe për pagesën e fitimeve. Ato do të transferohen vetëm në llogarinë personale të lojtarit dhe në të njëjtin mjet pagese që është përdorur për depozitimin e fondeve. Transferimi i fitimeve në llogari të personave të tretë ose në mjete pagese që nuk i përkasin lojtarit nuk do të lejohet.

Udhëzimi forcon gjithashtu masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Operatorët duhet të monitorojnë transaksionet, të identifikojnë rastet e dyshimta dhe t’i raportojnë ato pranë Agjencisë së Inteligjencës Financiare. Në rastet kur dyshimet lidhen me aktivitetin e lojës ose sistemet e pagesave, do të njoftohet edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

Ndërkohë, operatorët do të raportojnë çdo muaj të dhëna të detajuara mbi depozitat, tërheqjet, fitimet e paguara, të ardhurat nga loja dhe numrin e lojtarëve aktivë. Çdo incident teknik ose operacional duhet të raportohet brenda 24 orëve. Mosrespektimi i kërkesave të këtij udhëzimi do të konsiderohet shkelje e legjislacionit për lojërat e fatit dhe mund të sjellë masa administrative, deri në pezullimin ose revokimin e licencës së operatorit, thuhet në Fletoren Zyrtare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat