Shqipëria Postuar më 5 Shtator 2026, 11:53

Roli i Bankave Qëndrore në një mjedis sfidues/ Guvernatori Sejko në 25-vjetorin e BQ të Malit të Zi

Nga Scan TV

Roli i Bankave Qëndrore në një mjedis sfidues/ Guvernatori Sejko

Guvernatorët dhe ekspertë të nivelit të lartë diskutuan sfidat me të cilat përballen bankat qendrore, në një mjedis të karakterizuar nga zhvillime komplekse dhe pasiguri. Kjo ndodhi në konferencën e 25 vjetorit të krijimit të Bankës së Malit të Zi ku i pranishëm ishte edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Guvernatori Sejko ishte ftuar si folës në panelin me temë “Besueshmëria, hapësira e politikës monetare dhe përafrimi me BE-në në një mjedis sfidues”, së bashku me guvernatorët e Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Në fjalën e tij, Sejko theksoi rëndësinë e besueshmërisë së bankave qendrore, duke e vlerësuar atë si një element thelbësor për forcimin e institucioneve dhe për zbatimin sa më efektiv të politikës monetare.

Sejko nënvizoi se besimi ndërtohet mbi një kuadër të fortë institucional, politika të qëndrueshme dhe komunikim të qartë, transparent dhe efektiv me publikun. Duke iu referuar përvojës së Bankës së Shqipërisë, Guvernatori theksoi rëndësinë e ruajtjes së një kuadri të qartë të politikës monetare, dhe veçoi reformat e ndërmarra për forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit financiar, përfshirë përmirësimin e mjedisit të kreditimit dhe modernizimin e infrastrukturës së pagesave, pjesë e të cilit është edhe anëtarësimi i  Shqipërisë në SEPA.

Një tjetër temë e diskutuar ishte përafrimi me kuadrin rregullativ të Bashkimit Evropian dhe ruajtja e stabilitetit makroekonomik e financiar gjatë procesit të reformave. Guvernatori Sejko theksoi se integrimi evropian dhe përmbushja e mandateve të bankave qendrore për ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar plotësojnë njëri-tjetrin. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e zbatimit të platformës TIPS Clone, i cili është një klonim i sistemit evropian të pagesave të shpejta që do të krijojë kursime si në kohë, ashtu edhe në para, për të gjithë konsumatorët, individët dhe bizneset shqiptare.

Gajtë aktivitetit, Guvernatori Sejko pati një sërë takimesh dypalëshe me përfaqësues të FMN-së dhe me guvernatorë të bankave të tjera qendrore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat