Shqipëria Postuar më 7 Gusht 2026, 10:30

Rivlerësimi i pronave u kursen shqiptarëve 120 mln euro - Buxheti arkëtoi 53 milionë euro deri në Korrik, afati deri më 31 Dhjetor

Nga Elisabeta Dosku

Rivlerësimi i pronave u kursen shqiptarëve 120 mln euro - Buxheti

Qytetarët shqiptarë kanë kursyer rreth 120.5 milionë euro nga reduktimi i tarifave tatimore të pasurive të paluajtshme si rrjedhojë e zbatimit të procesit të rivlerësimit.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nga momenti i nisjes nga zbatimi i ligjit në muajin Prill, individët dhe bizneset kanë përfituar nga procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me 5 %, duke mos paguar në buxhet afro 120.5  milionë euro, duke ulur kostot fiskale dhe duke përfituar nga lehtësitë ligjore në fuqi.

Nga ana tjetër të ardhurat e gjeneruara nga procesi i rivlerësimit, kapin shifrën 5 miliardë lekëve  ose 53 milionë euro, çka dëshmon interesin e lartë të qytetarëve për këtë proces, duke kontribuar njëkohësisht edhe në rritjen e të ardhurave buxhetore.

Duke marrë në konsideratë faktin se në procesin e fundit të rivlerësimit , në vitin 2022, të ardhurat e arkëtuara ishin 5.6 miliardë lekë,  qeveria parashikon që të ardhurat nga ky zë, në përfundim të procesit të rivlerësimit të jenë akoma më të larta.

Ndërsa vetëm në muajin Qershor 2026, janë arkëtuar rreth 10 milionë euro.

Ligji u jep të drejtën qytetarëve që të rivlerësojnë pasuritë e tyre të paluajtshme me një normë tatimore prej 5%

Afati për kryerjen e rivlerësimit përfundon më 31 Dhjetor 2026,  por kërkesat për rivlerësim të dorëzuara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të cilat janë kryer pagesat e tatimit, por nuk kanë përfunduar procedurat administrative nga ASHK-ja brenda datës 31 dhjetor 2026, konsiderohen objekt rivlerësimi sipas këtij ligji dhe procedurat administrative përfundojnë deri më 31 mars 2027.

Gjithashtu ligji u jep të drejtë edhe personave juridikë, të cilët kanë të regjistruar në pasqyrat e tyre financiare pasuri të paluajtshme me vlerë më të vogël se ajo e tregut, që të  bëjnë rivlerësimin me vlerën e tregut të këtyre pasurive brenda datës 31 dhjetor 2026.

Rivlerësimi mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme nga institucionet përkatëse ose nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat