Shqipëria Postuar më 21 Janar 2026, 10:25

Rivlerësimi i pasurive, kur nis procesi? - Udhëzimi, afat deri më 5 shkurt. Përfitojnë 500 mijë familje

Nga Elisabeta Dosku

Rivlerësimi i pasurive, kur nis procesi? - Udhëzimi, afat deri më

Ligji që u jep të drejtën qytetarëve dhe bizneseve që të rivlerësojnë pasuritë e tyre të paluajtshme me një normë tatimore prej 5% hyn zyrtarisht në fuqi më 22 Janar. Por kjo nuk do të thotë që procedura nis në të njëjtën datë.  Kjo për shkak se Ministria e Financave ka një afat ligjor prej 15 ditësh për të miratuar udhëzimin përkatës se si do të funksionojë procesi në detaj.

Çka do të thotë se drita jeshile përfundimisht do të hapet rreth datës 5 Shkurt, një proces ky që parashikohet të zgjasë deri më 31 dhjetor 2026, ku të gjithë ata të cilët kanë në pronësi  pasuri të paluajtshme, do të kenë mundësi që të rrisin vlerën e saj duke e bërë të barabartë me vlerën e tregut.

Ky proces pritet të ndikojë ndjeshëm në nxitjen e transaksioneve të pronave të cilat deri më tani kanë qenë në pritje të lehtësimit fiskal, për të mos paguar normën tatimore në fuqi prej 15%.

Nga kjo iniciativë pritet të përfitojnë drejtpërdrejt 500 mijë familje.

Referuar ligjit, kërkesat për rivlerësim të dorëzuara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të cilat janë kryer pagesat e tatimit, por nuk kanë përfunduar procedurat administrative nga ASHK-ja brenda datës 31 dhjetor 2026, konsiderohen objekt rivlerësimi sipas këtij ligji dhe procedurat administrative përfundojnë deri më 31 mars 2027.

Por cilat janë procedura kryesore që përcaktohen në ligj dhe që t që duhet të  ndjekin qytetarët për rivlerësimin?

Rivlerësimi mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme nga institucionet përkatëse ose nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Në rast se individi vendos që të kryejë  rivlerësimin me vlerën e tregut, atëherë ai zgjedh një ekspert të licencuar. Aplikimit të tij për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme i bashkëlidh edhe aktin e vlerësimit të ekspertit. Në këtë rast, drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës përllogarisin:  bazën e tatueshme, e cila llogaritet si  diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e  vlerësimit të ekspertit, e cila nuk mund të jetë më e vogël se çmimet fiskale në fuqi në momentin e  rivlerësimit, dhe vlerës së regjistruar të pasurisë ose vlerës së rivlerësuar, sipas ligjeve të mëparshme të rivlerësimit, për të cilën është  paguar tatimi si dhe tatimin që duhet të paguajë individi për ta regjistruar këtë rivlerësim.

Në rast se individi vendos që rivlerësimi të  kryhet me çmimet minimale fiskale në fuqi,  atëherë ai aplikon pranë Agjencisë Shtetërore të  Kadastrës dhe ky fakt shprehet në formularin, që  i bashkëlidhet aplikimit t ë tij për rivlerësim. Në  këtë rast, drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës përllogarisin:  bazën e tatueshme, e cila llogaritet si diferenca ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet fiskale në fuqi në momentin e rivlerësimit dhe vlerës së regjistruar të pasurisë ose vlerës së rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi.

Për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, në zbatim të legjislacionit në fuqi për tatimin mbi të ardhurat, të bërë pas rivlerësimit, tatimi llogaritet sipas normave në fuqi mbi fitimin e realizuar, si diferencë e vlerës, në momentin e kalimit të së drejtës së pronësisë, me vlerën e rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi.

Gjithashtu ligji u jep të drejtë edhe personave juridikë, të cilët kanë të regjistruar në pasqyrat e tyre financiare pasuri të paluajtshme me vlerë më të vogël se ajo e tregut, që të  bëjnë rivlerësimin me vlerën e tregut të këtyre pasurive brenda datës 31 dhjetor 2026.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat