Shqipëria Postuar më 26 Mars 2026, 11:12

“Rivlerësim i shpejtë i çmimit të barnave” – Sala: Shmangim rrezikun për mungesa në listën e rimbursimit

Nga SCAN TV

“Rivlerësim i shpejtë i çmimit të barnave”

Këshilli i Ministrave miratoi sot disa ndryshime në vendimin “Për ngritjen dhe mënyrën e funksionimit të Komisionit të Çmimit të Barnave”.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala tha se me miratimin e këtyre ndryshimeve u hodh një hap shumë i rëndësishëm për të garantuar më shumë transparencë, stabilitet dhe siguri në tregun e barnave në Shqipëri.

“Ky vendim vjen si një përgjigje ndaj një nevoje të hershme për përmirësimin e metodologjisë të përcaktimit të çmimeve të barnave dhe përshpejtimin e procedurave dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me barna për qytetarët”, tha Sala.

Ministrja Sala theksoi se “ndryshimet e miratuara synojnë disa pika shumë të rëndësishme; garantimin së pari të disponiblitetit të barnave në treg duke shmangur rrezikun për mungesa veçanërisht për barnat që janë alternativa të vetme në listën e rimbursimit apo përdorimin spitalor, rritjen e transparencës dhe profesionalizmit në procesin e përcaktimit të çmimeve përmes një metodologjie më të qartë dhe më të qëndrueshme, e cila mban nën kontroll çmimet, por njëkohësisht krijon mundësi për përthithjen e barnave të reja dhe inovative në tregun shqiptar”.

Po ashtu, vijoi Sala, sjell përshpejtimin e afateve dhe thjeshtëzimin e proceduarve duke përfshirë edhe përdorimin e dokumentaciont elektronik në përputhje me procesin e digjitalizimit të administratës.

Sala u shpreh se “në funksion të transparencës është parashikuar edhe një dispozitë e veçantë për vitin 2026, e cila i jep Komisionit të Çmimit të barnave mundësinë për të rivlerësuar çmimet brenda një afati të shpejtë me qëllim shmangien e çdo rreziku për tërheqjen e barnave nga tregu”.

Sipas saj, ndryshimet nuk kanë për qëllim rritjen e çmimit të barnave, por përkundrazi me garantimin e  qëndrueshmërisë së tyre, akses më të mirë për pacientët dhe një treg farmaceutik më të sigurt dhe më të parashikueshëm.

“Prioriteti i MSHMS mbetet i pandryshuar të sigurojë për çdo pacient në Shqipëri që të ketë akses në barna që i nevojiten në kohën e duhur me standarde të garantuara cilësie”, tha Sala.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat