Shqipëria Postuar më 26 Qershor 2026, 13:06

Rivitalizim i vijës bregdetare të Durrësit - FSHZH hap tenderin 833 mln lekë për krijimin e hapësirave rekreative

Nga Ernilda Luzi

Rivitalizim i vijës bregdetare të Durrësit - FSHZH hap tenderin

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për investim në përmirësimin funksional dhe estetik të vijës bregdetare të Durrësit, një projekt që synon rritjen e ofertës turistike dhe rigjenerimin urban të një prej zonave më të frekuentuara të vendit. Fondi limit i parashikuar për këtë ndërhyrje është 833 milionë e 196 mijë lekë, ndërsa projekti është pjesë e fazës së tretë të programit për investime në infrastrukturën e tregjeve, hapësirave tregtare dhe multifunksionale në zonat model të zhvillimit.

Sipas dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, ndërhyrja do të përfshijë segmentin bregdetar që shtrihet nga Ura e Dajlanit deri te Godina e Kavalishencës. Në këtë hapësirë ndërthuren banesa, struktura akomoduese, biznese, shërbime dhe ambiente publike, të cilat gjatë sezonit veror përballen me flukse të larta vizitorësh.

Projekti përfshin zgjerimin e plazhit ekzistues, krijimin e një parku linear të gjelbër përgjatë vijës detare, zhvillimin e hapësirave publike multifunksionale dhe integrimin e infrastrukturës së re rekreative e sportive. Gjatësia e zonës së ndërhyrjes është rreth 2.8 km, me një zgjerim të bregut deri në 100 metra drejt detit, duke krijuar hapësira të reja publike për banorët dhe vizitorët.

Referuar relacionit teknik, zona ka nevojë për përmirësime funksionale dhe estetike. Projekti synon një organizim më të mirë të hapësirës publike, modernizimin e infrastrukturës ekzistuese dhe krijimin e kushteve më cilësore për banorët, turistët dhe bizneset. Ndërkohë, evidentohet gjithashtu nevoja për përmirësimin e aksesueshmërisë përgjatë vijës bregdetare. Aktualisht zona lidhet me rrjetin kryesor rrugor të qytetit, por në periudhat me fluks të lartë turistik krijohen mbingarkesa në hyrje, në kalimet këmbësore dhe në parkime. Për këtë arsye parashikohen ndërhyrje që do të favorizojnë lëvizjen e këmbësorëve dhe biçikletave, si dhe zgjidhje të reja për menaxhimin e parkimeve.

Një nga elementët kryesorë do të jetë ndërtimi i një parku linear bregdetar, i cili do të shtrihet përgjatë gjithë segmentit të ndërhyrjes. Ai do të përfshijë hapësira të gjelbra me pemë, zona pushimi, shëtitore të reja dhe të ashtuquajturat "Green Coves", ambiente natyrore që do të krijojnë lidhje të drejtpërdrejtë mes qytetit dhe detit.

Në projekt janë parashikuar gjithashtu zona të dedikuara për aktivitete kulturore, festivale, gastronomi, sport dhe argëtim, si: kinema në natyrë, amfiteatër, fusha sportive, kënde lojërash për fëmijë, skate park, qendra turistike, ambiente shërbimi, si edhe qendra mjekësore.

Gjithashtu, në projekt parashikohen ndërtimi i pavijoneve modulare, të cilat do të përdoren për aktivitete tregtare, bare plazhi, restorante, pika informacioni, ambiente pushimi dhe shërbime të tjera. Struktura është konceptuar të jetë fleksibël dhe të përshtatet sipas sezonit dhe nevojave të zonës. Po kështu, do të ndërtohen stola, ulëse të integruara me gjelbërimin, stacione për parkimin e biçikletave dhe elementë të tjerë që synojnë ta bëjnë zonën më funksionale, më të aksesueshme dhe estetikisht më tërheqëse, duke krijuar një identitet të ri urban për vijën më të frekuentuar bregdetare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat