Rishpërndahen paratë e buxhetit 2025 - Malaj: Më shumë fonde për sigurinë kibernetike, IT-në dhe infrastrukturën
Rishpërndarje të fondeve për sigurinë kibernetike, teknologjinë e informacionit, garancinë sovrane në bujqësi dhe infrastrukturën. Këto janë vetëm disa nga ndryshimet në buxhetin e vitit 2025 që u diskutuan në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Gjatë fjalës së tij, Ministri i Financave Petrit Malaj listoi edhe një herë ndryshimet në buxhetin e këtij viti, të cilat u miratuan para një jave me një akt normativ nga Këshilli i Ministrave.
“Kemi një reflektim dhe një rishpërndarje të brendshme të fondeve për projekte që lidhen me IT-në. Nga kursimet, 3.3 mld lekë shkojnë për Autoritetin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, disa miliardë lekë për projekte të zhvillimit të infrastrukturës, për një projekt të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, fonde shtesë te Ministria e Shëndetësisë për blerje pajisjesh mjekësore.
Ndërkohë, 3 mld lekë janë për garancinë sovrane në sektorin e bujqësisë. Përmes kësaj synohet lehtësimi i aksesit në financë për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ministria e Bujqësisë ka propozuar një skemë për të zgjidhur problemin e mungesës së kolateralit. Garancia sovrane do të mbulohet nga bankat tregtare. Reflektimi i ndryshimeve do të mundësojë ruajtjen e pandryshuar të deficitit buxhetor. Nëpërmjet këtij akti synohet që të rialokohen 11.8 miliardë lekë për forcimin e kapaciteteve shtetërore për sigurinë kibernetike dhe teknologjinë e informacionit dhe komunikimit”.
Ministri i Financave theksoi se ky akt normativ ka të bëjë vetëm me kursimet nga projekte të caktuara, të cilat janë rialokuar për projekte të tjera.
I pyetur edhe për një rritje të mundshme të pagave të Policisë së Shtetit, Malaj u shpreh se nuk janë dhënë fonde shtesë për nevojat që mund të kenë pasur Ministritë. Nuk është parashikuar asnjë rritje page deri më tani.
FJALA E MINISTRIT TË FINANCAVE NË KOMISIONIN E LIGJEVE
Akti normativ PËR disa ndryshimE DHE SHTESA në ligjin
“PËR BUXHETIN E VITIT 2025
Akti Normativ nr.6 datë 11.06.2025 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.115/2024 “Për buxhetin e vitit 2025, të ndryshuar” i miratuar në Këshillin e Ministrave dhe që sot po e paraqesim përpara për diskutim dhe miratim u hartua si një domosdoshmëri për të reflektuar disa ndryshime në Buxhetin e vitit 2025.
Hartimi i këtij Akti u realizua pas një analize të plotë që Ministria e Financave i bëri performances 5-mujore të të ardhurave dhe shpenzimeve nga e cila rezultoi se kishte nevojë për ndërhyjrje në Buxhetin 2025, duke marrë në konsideratë ecurinë e projekteve deri në këtë fazë, si dhe nevojën për të siguruar përdorimin eficient të fondeve të alokuara për investimet publike.
Në këto kushte, duke pasur në konsideratë devijimet në ecurinë e investimeve nga planifikimi fillestar lindi nevoja për një rishikim të parametrave buxhetorë, me qëllim harmonizimin e tyre me ecurinë reale, të zbatimit të buxhetit për vitit 2025.
Nga ana tjetër, siç është tashmë praktike ligjore dhe kushtetuese e konsoliduar, rishikimi i ligjit të buxhetit duhet të bëhet me Akt Normativ, si një instrument ligjor që vepron me fuqinë e tij, për një periudhë të caktuar kohore dhe e kthen atë në ligj me miratimin nga Kuvendi, duke sjellë miratimin në një kohë më të shkurtër sesa ajo e nevojshme për një projektligj të zakonshëm. Kjo urgjencë buron nga nevoja për të siguruar përdorimin eficient të fondeve publike dhe rialokimin e menjëhershëm të atyre fondeve, në ato projekte investimesh që kanë pasur ecuri më të mirë.
Ndaj, ndryshimet buxhetore të parashikuara janë vetëm rialokime në zërat e shpenzimeve buxhetore, të cilat nuk kanë efekte te treguesit bazë makrofiskalë dhe ata buxhetorë. Pra, e thënë me fjalë më të thjeshta, të ardhurat, totali i shpenzimeve, deficiti dhe borxhi publik mbeten të pandryshuaraa nëpërmjet këtij Akti Normativ.
Të nderuar anëtarë të Komisionit,
Përpara sesa të vijoj me elementët kryesorë të këtij Akti Normativ, më lejoni të paraqës shkurtimisht ecurinë e performancës paraprake të treguesve fiskalë për periudhën Janar – Maj 2025.
Të ardhurat totale, për periudhën 5 mujore të vitit 2025, arritën në rreth 305.92 miliardë lekë, me një realizim në masën 100.2 % të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u mblodhën rreth 18.7 miliardë lekë ( 187 mln euro) më shumë ose 6.5 % më shumë. Në terma vjetorë, të ardhurat totale për 5- mujorin e vitit 2025 u realizuan në masën 40.4% të planit vjetor.
Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat, për periudhën Janar - Maj 2025, janë në shumën 203.4 miliardë lekë ose 1.7 miliardë lekë ose 0.8% më shumë se plani për periudhën Janar – Maj 2025. Krahasuar me Janar – Majin e vitit 2024, janë mbledhur 19.8 miliardë lekë ( 198 mln euro) ose 10.8% më shumë.
Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare), për periudhën Janar – Maj 2025, u realizuan në vlerën 92.7 miliardë lekë ose 3 miliardë lekë (3.3%) më shumë se Janar – Maji i vitit 2024.
Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale), për periudhën Janar – Maj 2025, u realizuan në shumën 110.8 miliardë lekë, 16.8 miliardë lekë më shumë se Janar – Maji 2024. Krahasuar me planin, të ardhurat e mbledhura janë 5.3 miliardë lekë (53 milionë euro) ose 5% më shumë.
Të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, për periudhën Janar – Maj 2025, u realizuan në shumën 73.5 miliardë lekë ose 8 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024, si dhe me realizim prej 104.5% të planit të periudhës.
Sa i takon shpenzimeve të përgjithshme publike, për periudhën 5-mujore të vitit 2025, arritën në rreth 265.52 miliardë lekë me një realizim në masën 95.4% e planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 ky zë ka rezultuar 12.1% më i lartë ose rreth 28.6 miliardë lekë më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 5- mujorin e vitit 2025 u realizuan në masën 32.2% e planit vjetor.
Shpenzimet korente, për periudhën 5 mujore të vitit 2025, rezultuan në rreth 243.42 miliardë lekë dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 12.6% më i lartë.
Shpenzimet kapitale, për periudhën 5 mujore të vitit 2025, rezultuan në rreth 21.23 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 2.2% më i lartë ose rreth 461 milionë lekë më shumë.
Niveli i suficitit, në periudhën 5 mujore të vitit 2025, rezultoi në masën 40.41 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, niveli i suficitit ka rezultuar rreth 20% më i ulët ose 9.9 miliardë lekë më pak (ose 100 mln euro më pak).
Të nderuar anëtarë,
Sikundër e theksova edhe me lart, në tërësi rishikim i buxhetit 2025, parashikon një volum të përgjithshëm të fondeve që alokohen/rialokohen, prej rreth 11.8 miliardë lekë.
Ndaj në mënyrë më të detajuar mund të përmend :
ü Rialokim të kursimeve të evidentuara gjatë 5-mujorit të vitit 2025 në masën 5.9 miliardë lekë nga shpenzimet korente e kapitale, si dhe nga akomodimi i një sërë kërkesave shtesë prioritare, në të njëjtën vlerë. Këto prioritete sigurojnë forcimin e kapaciteteve shtetërore në përballimin e kërcënimeve digjitale në rritje dhe mbështetjen e rritjes ekonomike të qëndrueshme, përmes përmirësimit të infrastrukturës kombëtare.
Gjithashtu :
Reflektimin e disa sistemimeve dhe rishpërndarjeve të brendshme të fondeve mes programeve dhe llogarive ekonomike, me efekt neutral buxhetor, ku vendin kryesor e zënë projektet IT të programuara në buxhetet e institucioneve që transferohen tek AKSH-i. Kjo, në kuadër të rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të performancës së sistemeve të teknologjisë së informacionit në administratën publike, me synim qendërzimin e fondeve për të mundësuar koordinim më të mirë, shmangien e fragmentimit dhe sigurimin e standardeve të unifikuara gjatë zbatimit të tyre.
Nga kursimet e realizuara kemi alokuar shtesë:
Rreth 3.3mld LEK për Agjencinë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike për produkte e teknologjisë së Inteligjencës Artificiale.
Kemi alokuar Rreth 1.5mld LEK shtesë për projekte të reja inffrastrukturore për Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
Gjithashtu për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit janë parashikuar rreth 318 milionë lekë shtesë për projektet e ekipeve sportive në shkolla.
Ministria e Drejtësisë do të ketë rreth 142 milionë lekë shtesë për detyrimin që ka pasur për rikonstruksionin e godinës së Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Si dhe kemi akorduar fonde shtesë, nëpërmjet këtyre kursimeve rreth 64 milionë lekë të Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për blerjen e disa pajisjeve mjekësore, kryesisht skanera për strukturat universitare spitalore.
Nëpërmjet këtij Akti Normativ
Kemi miratuar një skeme të re Garancie Sovrane për sektorin e Bujqësisë, për një vlerë 3 miliardë lekë. Nga analiza fiskale rezulton se kjo politikë respekton kufizimet e rregullave fiskale në fuqi, pa cënuar nivelin e borxhit publik. Në hapësirën ekzistuese të borxhit publik është akomoduar vlera e kësaj garancie prej 3 miliardë lekë, e cila plotëson kërkesën për mbështetje të sektorit të bujqësisë.
Konkretisht, në vijim të mbështetjes së sektorit privat dhe lehtësimin e aksesit në financë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme të iniciuar nga Banka e Shqipërisë në fillim të vitit 2025, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka propozuar një skemë garancie që plotëson programin e rifinancimit për bankat tregtare të miratuar nga Banka e Shqipërisë.
Kjo skemë garancie synon të adresojë problematikën e mungesës së kolateralit, e cila kufizon ndjeshëm aksesin në financimin e sektorit të bujqësisë, si dhe do të mbështesë financimin me kosto të ulët.
Elementët kryesorë të Garancisë Sovrane janë:
o Alokim nga bankat e nivelit të dytë tregtare, duke mbuluar 70% të principalit të kredive, skemë e cila do të mundësojë kreditimin e fermërëve dhe Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në sektorin e bujqësisë deri në vlerën 4.3 miliardë lekë.
o Kredi të buta për fermëret dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në sektorin e bujqësisë , ku norma e interesit kufizohet në një tavan prej 2% në rrethanat e kombinimit të Garancisë Sovrane me produktin e Bankës Qendrore.
o Kjo Garanci Sovrane do të mund të përdoret vetëm për investime me fokus rritjen e kapacitetit dhe cilësinë prodhuese në agropërpunim, modernizimin e mekanikës bujqësore, agroturizëm, peshkim, akuakulturë, sera etj..
Për rrjedhojë, reflektimi i ndryshimeve të sipërcituara, siguron:
Ruajtjen e pandryshuar të deficitit buxhetor.
Ruajtjen e pandryshuar të niveleve të planifikuara të të ardhurave të përgjithshme.
Moscënimin e parametrave të qëndrueshmërisë së borxhit publik dhe kufijve të tij të miratuar në buxhëtin 2025.
Në përfundim të fjalës sime më lejoni të nënvizojë se ekonomia jonë ka treguar rezistencë dhe dinamikë të admirueshme. Megjithatë, jemi të vetëdijshëm për sfidat që kemi përpara. Peizazhi i rreziqeve ka evoluar, me rritje të rreziqeve gjeopolitike dhe pasigurive në kuadrin e tregtisë ndërkombëtare. Këto zhvillime mund të ndikojnë potencialisht në trajektoren ekonomike të partnerëve tanë të Bashkimit Evropian. Por, ne besojmë se progresi i vazhdueshëm në integrimin evropian dhe ritmi i fortë vecanërisht i sektorit tonë të turizmit paraqesin mundësi për të tejkaluar parashikimet tona aktuale të rritjes.
Nisur nga sa më sipër parashtruar, theksojmë se ndryshimet e propozuara në këtë Akt Normativ do të vijojnë të garantojnë trajektoren rënëse të nivelit të borxhit publik në raport me PBB, në përputhje me rregullin respektiv fiskal të përcaktuar në Ligjin Organik të Buxhetit, duke siguruar kësisoj vijimësinë e konsolidimit fiskal dhe qëndrueshmërisë afatmesme dhe afatgjatë të financave publike dhe stabilitetin makroekonomik në tërësi.
Ju falënderoj për vëmendjen!
Mbetemi të hapur për pyetjet tuaja!

Tensionet në Iran rrisin çmimin e naftës - Sulmet amerikane dhe reagimi i mundshëm iranian “turbullojnë” tregjet
Investitorët reaguan ndaj sulmeve amerikane drejt Iranit gjatë fundjavës, ndërsa Teherani dhe Izraeli vazhduan të shkëmbenin raketa të hënën në mëngjes.......

Kujt ia kemi besuar importin e naftës? Arabia Saudite dominon në Maj, Omani largohet nga lista
Importet e naftës dhe lëndëve djegëse minerale në Shqipëri për muajin maj 2025 kanë pësuar një zhvendosje të ndjeshme në raport me të njëjtin muaj të një......

Shqiptarët nuk i preferojnë akulloret e importuara? - Deri në 400 kg në ditë prodhim “Made in Albania”
Pa ngrënë një akullore në verë e jo vetëm, askush nuk rri. Por, cilat janë shifrat e importit? Referuar të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave,......

Itali, emigracioni në nivele rekord - Largimet e italianëve dhe mbërritjet e të huajve, në vlerat më të larta të dekadës
Numri i italianëve që largohen nga atdheu i tyre dhe i të huajve që hyjnë në vend është rritur në nivelin më të lartë në dekadën e fundit, treguan të dhënat......

Hekurudha Durrës – Rrogozhinë, sigurohet financimi - BERZH miraton kredinë 30 mln euro, projekti ka kosto totale prej 120.5 mln euro
Linja hekurudhore Durrës – Rrogozhinë po hyn në një fazë të re zhvillimi. Projekti për rehabilitimin e saj ka siguruar tashmë edhe miratimin e kredisë 30......

Shitblerja e tokës, “ngërçi” i Shqipërisë me BE - Kolasi: Ligji përkatës pritet të miratohet së shpejti. Zbatimi do të kërkojë shumë kohë
Shitblerja e tokës bujqësore dhe pyjeve është një nga sfidat me të cilat ndeshet Shqipëria në përafrimin dhe zbatimin e legjislacionit me BE-në lidhur me......

Çfarë ka ndodhur sot në tregun valutor?
Dollari amerikan është blerë këtë fillim jave me 84.5 lekë dhe është shitur me 85.5 lekë duke mos pësuar ndonjë ndryshim të konsiderueshëm nga java që lamë......

Regjistër digjital për ullirin - Lushnja, Fieri, Mallakastra dhe Vlora me hartë të re
Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore Fushë- Krujë ka shpallur hapjen e tenderit, për studim fushor për identifikimin, regjistrimin dhe......