Shqipëria Postuar më 24 Janar 2026, 10:54

Rimbursimi i TVSH-së, proces efektiv, por besim i kufizuar/ Anketa KI: 9 nga 10 kompani, e marrin përfitimin

Nga Diamila Leka

Rimbursimi i TVSH-së, proces efektiv, por besim i kufizuar/ Anketa KI: 9

Rimbursimi i TVSH-së vijon të mbetet process, ku bizneset tregojnë një nivel të moderuar besimi. Sipas të dhënave të anketës së Këshillit të Investimeve, rreth 1 në 2 kompani që kanë të drejtë për rimbursim, zgjedhin të aplikojnë për përfitimin e TVSH-së së rimbursueshme.

Arsyet kryesore të hezitimit lidhen me mungesën e besimit dhe kompleksitetin e procedurës në sistemin elektronik, edhe pse të dhënat tregojnë një realitet tjetër për kompanitë që aplikojnë. Për këto subjekte, procesi rezulton kryesisht efektiv, pasi 9 nga 10 kompani që aplikojnë përfitojnë realisht rimbursimin e TVSH-së.

Të dhënat evidentojnë gjithashtu se rimbursimi merret kryesisht pas ushtrimit të kontrollit tatimor, por që prej vitit 2022 vërehet një rritje e ndjeshme e rasteve të rimbursimit automatik nga sistemi. Kjo tendencë sinjalizon një lëvizje të administratës drejt automatizimit dhe rritjes së besimit në proces.

Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim ka luajtur edhe digjitalizimi. Krahasuar me vitin 2022, besimi ndaj platformës digjitale të rimbursimit është rritur ndjeshëm, ku 7 nga 10 kompani deklarojnë se ajo e ka lehtësuar procesin, veçanërisht për bizneset eksportuese.

Gjatë vitit 2025, rimbursimi i TVSH-së konsiderohet problematik vetëm nga 3 në 10 kompani, një përmirësim i dukshëm krahasuar me vitet e mëparshme. Megjithatë, mungesa e besimit dhe perceptimi për procedura të ndërlikuara mbeten ende pengesat kryesore për aplikim, pavarësisht përmirësimeve të evidentuara në funksionimin e sistemit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat