Shqipëria Postuar më 15 Janar 2026, 12:56

Rimbursim deri 13 mijë lekë për arsimin e fëmijëve - Kush përfiton dhe si bëhet aplikimi përmes plotësimit të DIVA-s

Nga Elisabeta Dosku

Rimbursim deri 13 mijë lekë për arsimin e fëmijëve -

Qytetarët e punësuar të cilët kanë të ardhura të tatueshme vjetore deri në 1.2 milionë lekë, përmes plotësimit të Deklaratës Individuale të të Ardhurave, DIVA, do të kenë mundësi që të përfitojnë rimbursim për shpenzimet arsimore të fëmijëve në ngarkim.

Individi përfiton zbritje nga baza tatimore për fëmijët në ngarkim në një vlerë totale prej 100.000 lekësh e cila përkthehet në një vlerë maksiamle të kthyer në llogari, deri në 13 mijë lekë në vit.

Kjo bëhet përmes plotësimit të formularit DIVA 2025, pavarësisht se nuk është i detyruar për kategorinë me të ardhura nën 1.2 milionë lekë në vit.  Në këtë formular plotësohet numri i fëmijëve në ngarkim dhe shpenzimet arsimore, me qëllim që prindërit apo kujdestarët ligjore të kenë të drejtë rimbusimi.

Si bëhet aplikimi për rimbursim?

Nëpërmjet dorëzimit të deklaratës DIVA 2025 në llogarinë personale në e-Filing, kur deklarata rezulton me mbipagesë. Krijohet çështje si kërkesë për rimbursim në modulin Çështjet e mia,  ku bashkëlidhen dokumentet me të dhënat e llogarisë personale bankare; Certifikata familjare dhe dokumentacioni justifikues që vërteton shpenzimet e kryera për arsimimin e fëmijëve.

Ky dokumentacion përfshin kontratat me institucionet arsimore dhe dokumentet e pagesës apo faturat për fëmijët, faturat për pagesën e gjuhëve të huaja etj.

Në mungesë të dokumentacionit justifikues (fatura tatimore, kontrata), shpenzimet arsimore nuk njihen për rimbursim.  Për këtë arsye rekomandohet që çdo pagesë për arsimim të kryhet në mënyrë të dokumentuar.

Por kur mund të refuzohet kërkesa për rimbursim? Kërkesa mund të refuzohet në rastet kur DIVA 2025 nuk rezulton me mbipagesë; Dokumentacioni është i paplotë ose i pasaktë; Shpenzimet nuk janë të ligjshme ose nuk janë deklaruar në DIVA.

Individi do të ketë mundësi të paraqesë deklaratë korrigjuese brenda afateve ligjore, nëse konstaton pasaktësi në të dhënat e deklaruara.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat