Shqipëria Postuar më 16 Tetor 2025, 11:32

Rilindja e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” - 6 skuadrat finaliste prezantuan projekt-idetë arkitekturore

Nga Eldiona Serani

Rilindja e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” - 6 skuadrat

Po zhvillohet në kryeqytet konkursi ndërkombëtar për Rilindjen e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Në këtë konkurs 6 skuadrat finaliste prezantuan për jurinë projekt-idetë arkitekturore. I pranishëm në Konkursin Ndërkombëtar, kryeministri Edi Rama, tha se pallati i Sportit “Asllan Rusi”, i cili ka qenë një pikë referimi dhe që sot, në një kohë të re, meriton një formë të re, një forcë të re dhe një vëmendje të re.

“Unë besoj se skuadrat finaliste të këtij konkursi do na vënë përsëri në pozitë të vështirë për të përzgjedhur projektin më të mirë sepse janë të gjitha skuadra me talente të jashtëzakonshme dhe me kapacitete të provuara në shumë vende të tjera. Janë skuadra, një pjese e të cilave punon aktualisht dhe në Shqipëri dhe ne jemi shumë krenar për këtë, por kam besim që me jurinë ndërkombëtare që kemi krijuar edhe këtë herë do t’ia dalim që të bëjmë një gjykim ashtu si duhet.
Nuk dua të humbas më tej kohën e konkursit. Dua të shpreh njëkohësisht kënaqësinë që në sallë shoh disa nga protagonistet e mëdhenj të kohës kur pallati i sportit gëlonte nga kompeticioni, nga shpirti i garës, nga tifozët dhe kam shumë besim që me këtë projekt do t’i rikthejmë ata, por do të rikthejmë dhe pikërisht atë frymë dhe atë energji të pazëvendësueshme të hapësirës së Asllan Rusit ku jam shpresëplotë se gjithë lëvizja e re sportive që kemi krijuar në të gjitha shkollat dhe që po rritet vit pas viti me pjesëmarrjen e mbi 12 mijë fëmijëve, vajzave dhe djemve nën kujdesin e Komitetit Olimpik Shqiptar, do të furnizojë këtë pallat sporti me prurje të reja dhe me talente dhe yje të reja.”

Nga ana e tij, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, tha se Asllan Rusi nuk është thjesht një pallat sporti, por një pjesë e historisë sonë.

“Ky projekt është një akt rikthimi dinjiteti, një mënyrë për të respektuar trashëgiminë tonë sportive, teksa ndërtojmë një të ardhme gjithnjë e më moderne. Me ringjalljen e Asllan Rusit, ne synojmë të krijojmë një arenë të vërtetë për sportet e sallës, një hapësirë unike, bashkëkohore, të sigurt dhe funksionale, që do të shërbejë për garat më të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Drejtore e Korporatës së Investimeve Shqiptare, Elira Kokona, u shpreh se “Qëllimi është që pallati i ri i sportit të shndërrohet në strukturë të re multifunksionale që përmbush standardet teknike ndërkombëtare për një gamë të gjerë disiplinash sportive. Secila nga këto disiplina do të pajiset me një hapësirë të dedikuar. Bashkia Tiranë, pronarja e kësaj hapësire të re, do të përfitojë një pallat sporti prej minimumi 13,500 metra katrorë ndërtim mbi tokë, nga 5,000 që janë sot, me një kapacitet maksimal modular prej 6,000 vendesh, 2,500 metra katrorë hapësira të jashtme të dedikuara dhe 12,500 metra katrorë parkim publik. Pallati i ri i sportit krijon vlera ekonomike të qëndrueshme, nxit sipërmarrje lokale dhe kthen sportin në një element të jetës së përditshme”.

Në muajin maj të këtij viti, Këshilli i Ministrave autorizoi Korporatën e Investimeve Shqiptare, për të vepruar si zhvillues i pronës, me qëllim realizimin e projektit të investimit “Rijetësimi i Pallatit të Lojërave me Dorë ‘Asllan Rusi’”. Sipas vendimit, Korporata do jetë përgjegjëse për hapjen dhe zhvillimin e procedurës konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat, që do të zhvillojë pronën nëpërmjet instrumentit të sipërmarrjes, duke e bërë këtë entitet autoritet kontraktor.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat