Shqipëria Postuar më 29 Maj 2026, 11:06

Rikualifikim i rrugëve dytësore në zonën e Durrësit të Ri/ Bashkia hap garën 137,6 mln lekë, synohet përmirësimi i infrastrukturës

Nga Ernilda Luzi

Rikualifikim i rrugëve dytësore në zonën e Durrësit

Bashkia Durrës ka shpallur hapjen e garës për rehabilitimin e rrugëve dytësore në zonën e Durrësit të Ri. Fondi limit i parashikuar për këtë investim është 137 milionë e 604 mijë lekë.

Sipas dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, projekti synon rikualifikim urban të zonës, si dhe përmirësimin e infrastrukturës, sigurisë dhe aspektin estetik. Krahas zgjidhjeve të problematikave si infrastruktura rrugore, lëvizja e këmbësorëve, ndriçimi, gjelbërimi, një tjetër fokus i rikualifikimit urban është t’i japë një identitet të ri dhe të jetë si një pikë referuese, duke u kthyer në një zonë të qëndrueshme dhe estetikisht në harmoni urbane.

Zona e marrë në studim ndodhet në Spitallë dhe përfshin një sipërfaqe prej rreth 46 hektarësh. Sipas relacionit teknik, ajo është zhvilluar kryesisht pas viteve 1990 dhe dominohet nga ndërtime informale 1 dhe 2-katëshe, një pjesë e të cilave janë ende në proces legalizimi. Gjendja aktuale e infrastrukturës paraqitet problematike. Disa prej rrugëve kryesore janë rehabilituar së fundmi ose janë në proces rikonstruksioni, ndërsa rrugët dytësore vijojnë të jenë tërësisht të pashtruara dhe të amortizuara.

Ndërkohë evidentohet mungesa e hapësirave publike, e parqeve rekreative dhe e gjelbërimit. Një tjetër problem i konstatuar është mungesa e sinjalistikës dhe ndriçimit rrugor, çka e bën zonën të pasigurt sidomos gjatë orëve të natës. Përveç infrastrukturës së dobët, raporti ndalet edhe te zhvillimi spontan dhe i paorganizuar i zonës ndër vite. Çdo banor ka ndërhyrë individualisht për të zgjidhur problematikat e tij, pa marrë parasysh ndikimin në hapësirat e përbashkëta, duke krijuar një panoramë kaotike dhe të vështirë për t’u unifikuar urbanistikisht.

Ndërkohë edhe muret rrethuese të banesave, janë ndërtuar në mënyrë të çrregullt me blloqe betoni, rrjeta teli dhe kangjella të improvizuara. Në raport thuhet se këto ndërtime jo vetëm që ndikojnë negativisht në estetikën urbane, por nuk ndjekin asnjë standard të unifikuar.

Kështu, parashikohet ndërhyrje e plotë në infrastrukturën e rrugëve dytësore të zonës. Sipas planit teknik, zona është ndarë në dy blloqe banimi, blloku i parë përbëhet nga 17 rrugica, ndërsa blloku i dytë nga 19 rrugica.

Përmes këtij projekti, Bashkia Durrës synon jo vetëm sistemimin e rrugëve, por edhe krijimin e një standardi të ri urban në një zonë që prej vitesh është zhvilluar pa planifikim të mirëfilltë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat