Shqipëria Postuar më 4 Gusht 2026, 10:49

Rikonstruksioni i rrjetit elektrik në Shkodër - OSSH hap garën, synohet rrjet më i sigurt e më i qëndrueshëm

Nga Ernilda Luzi

Rikonstruksioni i rrjetit elektrik në Shkodër - OSSH hap garën,

Drejtoria Rajonale e OSSH-së në Shkodër ka shpallur tenderin për rikonstruksionin e një pjese të rrjetit elektrik në zonën e Rrjollit. Për realizimin e këtij investimi është vënë në dispozicion një fond limit prej 118 milionë e 488 mijë lekësh.

Sipas dokumenteve të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, projekti parashikon zëvendësimin dhe përmirësimin e rrjetit elektrik me pajisje dhe materiale të reja, të cilat do të jenë sipas standardeve dhe do të sigurojnë furnizim më të qëndrueshëm me energji elektrike.

Në kuadër të investimit do të vendosen kabllo të reja, do të rikonstruktohen kabinat elektrike dhe do të ndërrohen shtyllat e amortizuara me të reja. Materialet që do të përdoren do të jenë të përshtatshme për t'i rezistuar kushteve të ndryshme atmosferike dhe ngarkesave të rrjetit, me qëllim shmangien e defekteve dhe rritjen e sigurisë së furnizimit.

Projekti parashikon gjithashtu instalimin e pajisjeve të reja lidhëse dhe elementëve të tjerë ndihmës, të cilët do të rrisin sigurinë dhe efikasitetin e funksionimit të rrjetit. Synimi është që infrastruktura të jetë më e qëndrueshme, duke ulur rrezikun e defekteve dhe ndërprerjeve të energjisë.

Ndërkohë, të gjitha punimet dhe materialet do të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare, që rrjeti të funksionojë në mënyrë të sigurt dhe afatgjatë. Gjithashtu, shtyllat dhe pajisjet që do të vendosen do të garantojnë qëndrueshmëri dhe rezistencë ndaj kushteve të motit.

Sipas dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, ky investim synon modernizimin e infrastrukturës elektrike në zonë, uljen e avarive dhe garantimin e një furnizimi më cilësor dhe më të sigurt me energji elektrike për banorët që furnizohen nga kjo linjë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat