Shqipëria Postuar më 24 Maj 2025, 12:50

Rihapet Tuneli i Llogarasë - Nga sot deri në 15 shtator, automjetet nuk do të paguajnë tarifë

Nga Ledina Elezi

Rihapet Tuneli i Llogarasë - Nga sot deri në 15 shtator, automjetet

Tuneli i Llogarasë është rihapur ditën e sotme për qarkullimin e automjeteve. Rihapja e tunelit u njoftua që ditën e djeshme nga Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, në një postim në rrjetet sociale ku bëri me dije se duke filluar që sot nga ora 09:00, do të lejohej sërish kalimi i automjeteve në këtë tunel.

Që në orët e para të mëngjesit ka pasur një numër të madh automjetesh që prisnin në hyrje të tunelit për të kaluar. Sipas Ballukut, tarifa do të aplikohet vetëm pas datës 15 shtator, ndërsa do të jetë i ndaluar kalimi vetëm për mjetet e tonazhit të rëndë.

Tuneli i Llogarasë u hap për herë të parë në 5 korrik të vitit të kaluar për lehtësimin e trafikut gjatë sezonit turistik, ndërsa do të mbyllej në 5 nëntor, që të përfundoheshin edhe disa detaje të tjera në tunel.

Punimet për ndërtimin e tunelit nisën në 15 nëntor të vitit 2021, pas garës koncesionare të zhvilluar që u fitua nga një konsorcium turk i përbërë nga 2 kompani. Kontrata koncesionare ka një kohëzgjatje prej 35 vitesh, ndërkohë që investimi kap vlerën e 17 miliardë lekëve. 

Shpejtësia e lejuar në tunel është 50-80 km/orë, ndërkohë që vëllimi i makinave gjatë sezonit turistik pritet të arrijë në 10 mijë. Tuneli i Llogarasë ka një gjatësi prej 6 km, ndërsa do të shkurtojë kohën e aksesimit të jugut të vendit me rreth 45 minuta. Ai është pjesë e seksionit rrugor Orikum - Himarë pjesë e Autostradës Vlorë – Sarandë, ndërkohë që nis nga Ura e Shën Elizës dhe del në Urën e Palasës, duke shmangur tërësisht Qafën e Llogarasë.

Tuneli shkurton distancën nga Dukati në Palasë nga 30 minuta në vetëm 7 minuta.

Tubi kryesor është i veshur me beton dhe i pajisur me sistemet komplekse të drenazhimit, ventilimit, mbrojtjes kundër zjarrit dhe tymrave, ndriçimit, thirrjeve të emergjencës dhe sinjalistikës. Ai shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt jugut, duke rritur njëkohësisht edhe parametrat e sigurisë rrugore.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat