Shqipëria Postuar më 15 Dhjetor 2025, 13:20

Reziston paraja fizike, rriten veprimet në arkë - BSH: 694 miliardë lekë cash qarkulluan në sportelet fizike në vetëm tre muaj

Nga Ledina Elezi

Reziston paraja fizike, rriten veprimet në arkë - BSH: 694

Pavarësisht zhvillimit të shërbimeve digjitale bankare, sportelet fizike të bankave vijojnë të mbeten një pikë e rëndësishme për kryerjen e transaksioneve në Shqipëri. Të dhënat për tremujorin e tretë të vitit 2025 tregojnë se përdorimi i parasë cash në arkë mbetet i lartë, si nga bizneset ashtu edhe nga individët.

Transaksionet në arkë njohin rritje të ndjeshme në tremujorin e tretë të vitit 2025, të nxitura kryesisht nga aktiviteti i bizneseve, ndërsa individët vijojnë të ruajnë një volum të lartë veprimesh, por me vlera më të moderuara.

Sipas të dhënave, në periudhën korrik–shtator janë realizuar mbi 1.8 milionë transaksione cash, me një vlerë totale prej rreth 694 miliardë lekësh. Nga këto, bizneset përbëjnë rreth 49% të numrit të transaksioneve, por mbajnë mbi 65% të vlerës totale, që tregon se qarkullimi më i madh i parasë fizike vijon të realizohet nga aktivitetet ekonomike dhe tregtare.

Në veçanti, bizneset kanë kryer rreth 883 mijë transaksione në arkë, me një vlerë prej 453 miliardë lekësh, duke shënuar një rritje tremujore prej mbi 12% në vlerë krahasuar me tremujorin e dytë. Rritja pasqyron shtim të qarkullimit, sidomos në muajt e verës, të ndikuar nga sezoni turistik dhe konsumi.

Brenda transaksioneve të bizneseve, depozitimet cash zënë rreth 71% të vlerës, ndërsa tërheqjet rreth 29%, duke sinjalizuar flukse të forta hyrëse në sistemin bankar.

Nga ana tjetër, individët kanë realizuar mbi 933 mijë transaksione, me një vlerë rreth 241 miliardë lekë. Në terma vlerash, rritja krahasuar me tremujorin e dytë është më e moderuar, rreth 1%, që tregon stabilitet të përdorimit të parasë fizike, por pa zgjerim të ndjeshëm.

Edhe për individët, depozitimet dominojnë, duke përbërë afro 58% të vlerës, ndërsa tërheqjet rreth 42%.

Në tërësi, të dhënat e tremujorit të tretë tregojnë se cash-i mbetet mjet i rëndësishëm në ekonomi, me peshë më të madhe në vlerë te bizneset dhe me frekuencë të lartë përdorimi te individët. Shifrat konfirmojnë se, pavarësisht kalimit gradual drejt pagesave elektronike, arka bankare mbetet një kanal kryesor për qarkullimin e parasë, veçanërisht për depozitimet dhe tërheqjet cash, si për bizneset ashtu edhe për qytetarët.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat