Shqipëria Postuar më 8 Prill 2025, 10:58

Rezerva valutore u zgjerua me 421 mln euro - BSH: Kursi i këmbimit ndikoi pozitivisht në 2024. Rreth 64% e saj ishte në euro

Nga Ledina Elezi

Rezerva valutore u zgjerua me 421 mln euro - BSH: Kursi i këmbimit ndikoi

Gjatë vitit që lamë pas, rezerva valutore e Shqipërisë arriti në 6.2 miliardë euro. Në 2024 rezulton që ajo të jetë rritur me 421 milionë euro në krahasim me vitin 2023, ku rezervat në valutë ishin vetëm 5.8 miliardë euro.

Në fund të vitit 2024, rreth 64% e rezervës valutore gjendej në monedhën evropiane, ndërsa 19.5% është në dollar amerikan dhe pjesa e mbetur në valuta të tjera si paundi britanik, juani kinez, apo jeni japonez.

Por cilët ishin faktorët kryesorë që ndikuan në rezervën valutore gjatë 2024?

Veprimet e Ministrisë së Financave, që përfshijnë hyrjet nga grantet dhe lëvrimi i huave,  hyrjet neto të blerjes së valutës nga Banka e Shqipërisë dhe interesat e fituar, apo transfertat për shërbimin e borxhit, kanë ndikuar për një periudhë në reduktimin e rezervës valutore.

Gjithashtu, veprimet e bankave të nivelit të dytë dhe subjekteve të tjera kanë pasur ndikim negativ në shumën 327.71 milionë euro, pra derdhjet nga bankat e nivelit të dytë në llogarinë e tyre pranë Bankës së Shqipërisë për plotësimin e rezervës së detyrueshme, administrimin e ekspozimeve në bilanc etj, transfertat nga bankat e nivelit të dytë, hyrje neto për llogari të subjekteve të tjera (si ASD etj).

Nga ana tjetër, veprimet e Bankës së Shqipërisë patën ndikimin pozitiv në shumën 896.55 milionë euro, për shkak të blerjes së valutës nga bankat e nivelit të dytë dhe institucione të tjera, në shumën 916.55 milionë euro, shitjeve neto të valutës Ministrisë së Financave në shumën 102.74 milionë euro, hyrje nga interesa, kuponë etj, (të llogaritura në bazë paraje fizike) të krijuara nga investimi i rezervës valutore, si dhe transferta në vlerën 10.71 milionë euro.

Faktorë të tjerë të tregut që kanë pasur ndikim pozitiv në zgjerimin e rezervës valutore në 226.09 milionë euro, janë luhatjet në kursin e këmbimit të monedhave në përbërje të rezervës valutore. Po ashtu, efekti i rivlerësimit për portofolin, si rrjedhojë e luhatjes së normave të interesit, llogaritet në një vlerë pozitive, rreth 69.01 milionë euro.

Rezerva valutore përfshin të gjitha aktivet në monedhë të huaj. Ajo shërben për të përmbushur nevojat e qeverisë për valutë për shlyerjen e borxhit të jashtëm, mbështetur tregtinë ndërkombëtare, duke përmbushur kërkesën për valutë që buron nga importuesit, mundësuar ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë në treg, me qëllim parandalimin dhe zbutjen e lëvizjeve të forta të kursit të këmbimit, pra për të siguruar stabilitetin e kursit të këmbimit.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat