Shqipëria Postuar më 3 Janar 2025, 11:00

‘Revolucioni’ tek financat, risitë dhe transformimet e 2025 - SEPA, open banking, rregullimi i kreditimit dhe sistemi ‘bonus malus’

Nga SCAN TV

‘Revolucioni’ tek financat, risitë dhe transformimet e 2025 -

Sektori bankar, institucionet financiare jobanka të kredidhënies dhe të pagesave, por edhe tregu i sigurimeve do të jenë në një proces të thellë transformues përgjatë këtij viti. Risitë që pritet të hyjnë në tregun e financave në përgjithësi do ta lehtësojnë më tej aksesin e klientëve duke zgjeruar dhe përmirësuar edhe më tej shërbimet. 

Gjatë këtij viti që sapo nisëm do të hyjë në fuqi kryerja e transaksioneve të pagesave brenda sistemit SEPA, duke ulur në mënyrë drastike koston e transfertave ndërkombëtare për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit.

Hyrja në SEPA pritet tu kursejë shqiptarëve minimalisht 20 milionë euro në vit. Por kjo është një përllogaritje paraprake sepse pritshmëritë janë për kursime edhe më të larta. Sipas analizave të Bankës Botërore, aktualisht një pagesë nga Shqipëria drejt zonës SEPA kushton gati 10 herë më shumë se një pagesë brenda zonës SEPA. Ndërkohë përfitimi nuk është vetëm në vlerë por edhe në kohë, sepse pagesat do të kryhen shumë më shpejt.

Gjithashtu, në vitin 2025, pritet që më në fund të jenë aktive shërbimet e open banking, që do t’u mundësojnë shqiptarëve të kryejnë pagesa nëpërmjet institucioneve fintech, duke përdorur llogarinë e tyre bankare.

Banka e Shqipërisë vlerëson se kjo risi sjell dobi të shumta në rrugën drejt formalizimit të ekonomisë dhe përfshirjes financiare.

Ndryshimet do të prekin edhe tregun e mikrofinancës. Me hyrjen në fuqi të rregulloreve të reja, dhënia e kredive të shpejta pa analizë financiare të huamarrësit pritet të vështirësohet. Paketa e ndryshimeve hyn në fuqi më datë 1 janar 2025, duke e bërë këtë treg më të sigurtë.

Një ndryshim rrënjësor pritet edhe në tregun ne sigurimeve. Më në fund do të realizohet aplikimi i parimit bonus-malus dhe elementeve të tjera të rrezikut. Kjo masë sjell çmime të diferencuara për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve, sigurisht duke e nisur aplikimin nga 1 janari i këtij viti.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat