Shqipëria Postuar më 16 Janar 2025, 10:23

Resorti në Sazan shpallet investim strategjik - Vendimi/Projekti me vlerë 1.4 mld euro do shtrihet në 45 ha, 1 000 persona të punësuar

Nga Ola Mitre

Resorti në Sazan shpallet investim strategjik - Vendimi/Projekti me

Projekti për ndërtimin e resortit turistik në ishullin e Sazanit ka marrë statusin e investimit strategjik, si një projekt i integruar turistik dhe i një rëndësie të madhe për vendin. Vendimi i sapo publikuar është marrë nga Komiteti i Investimeve Strategjike, që drejtohet nga kryeministri Edi Rama në 30 dhjetor 2024, duke pranuar propozimin e kompanisë Atlantic Incubation Partners LLC të bërë publik marsin e vitit të kaluar.

Sipas vendimit vlera e investimit parashikohet të jetë 1.4 miliard euro, ndërsa përgjatë fazës së realizimit të investimit dhe operimit, numri i personave të punësuar parashikohet të jetë 1,000. Projekti zynohet të zhvillohet në një sipërfaqe prej 45 ha apo 8% e sipërfaqes totale të ishullit të Sazanit prej 562 ha.

Në vendimin e KIS thuhet se projekti i investimit propozohet si një projekt i integruar me marinë turistike si dhe struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, zona gastronomike dhe zona rekreacionale me shërbime në funksion të tyre.

Po ashtu, synohet përmirësimi dhe riparimi i marinës aktuale duke përfshirë zgjerimin e hapësirës së dokimit, përmirësimin e vendndodhjes së molit të tragetit dhe ankorimin e trageteve të ishullit.

Përfitimet që do të ketë shteti shqiptar nuk janë përcaktuar ende, ndërsa në vendim thuhet se forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet nëpëmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga Korporata e Investimeve Shqiptare dhe Albanian Seaports Development Company, në cilësinë e palës shtet, dhe subjektit investues.

Po ashtu shtohet se projekti i propozuar do t’i nënshtrohet një procesi shqyrtimi dhe analizimi për të vlerësuar kushtet dhe kriteret e mundësisë së bashkëpjesëmarrjes së shtetit shqiptar në këtë investim strategjik.

Kompania amerikane është në pronësi të Jared Kushner, dhëndri i presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ndërsa projekti do të mbajë statusin “strategjik” për një periudhë 10-vjeçare.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat