Shqipëria Postuar më 8 Janar 2026, 17:32

Reshjet, Koçiu:  Në disa zona vijon evakuimi parandalues i banorëve

Nga SCAN TV

Reshjet, Koçiu:  Në disa zona vijon evakuimi parandalues i

Komunikimi me mediat i Ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, pas mbledhjes së Shtabit të Emergjencave Civile në Qarkun Durrës. Të gjitha strukturat janë në terren dhe në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatës nga reshjet e dendura. Në disa zona ka nisur evakuimi parandalues i banorëve. Situata po monitorohet vazhdimisht dhe po mbahet nën kontroll, ndërsa prioritet absolut mbetet jeta dhe siguria e qytetarëve. Institucionet do të vijojnë të jenë pranë tyre.

 

Pyetje: Sapo keni zhvilluar mbledhjen e Emergjencave Civile, si paraqitet situata?

Ministrja Koçiu: Sapo kemi përfunduar mbledhjen e Shtabit të Emergjencave Civile këtu në Prefekturën e Durrësit, ku marrin pjesë të gjithë titullarët e institucioneve që  janë pjesë e mekanizmit të Emergjencave Civile. Si rezultat i reshjeve të dendura të ditëve të fundit, në qarkun e Durrësit, në përgjithësi kemi një situatë, e cila është agravuar 24 orëshin e fundit. Dy nga zonat më të nxehta janë në njësitë administrative Vadardhë, Sukth dhe në Katundin e Ri. Janë dy zona ku është instaluar plani i evakuimit dhe po zbatohet nga Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit e të gjitha struktura që janë në gatishmëri e po koordinojnë evakuimin e banorëve.

Kam një thirrje për të gjithë qytetarët e këtyre zonave të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës, të institucioneve që të mos kemi rrezik të jetës së vetë njerëzve, por patjetër dhe të gjësë së gjallë në shtëpitë e tyre.

Patjetër do të vijohet më pas me një evidentim të dëmeve, ashtu sikundër bashkia e Durrësit e ka filluar një evidentim e vlerësim të dëmeve të shkaktuara si rezultat i reshjeve. Por në këtë moment, ajo që është më e rëndësishmja, e këtu do të kërkoja bashkëpunimin jo vetëm të qytetarëve por edhe të mediave, të cilat për hir të së vërtetës kanë qenë gjithë kohën në terren duke raportuar, që të sensibilizojmë sa më shumë, sepse tashmë në këto momente, e rëndësishme është jeta e njerëzve.

Duhet të shpëtojmë e të mos kemi asnjë incident të tillë e më pas do të shkohet me një plan vlerësimi e një plan zhdëmtimi.

 

Pyetje: Tashmë ora po shkon 4 pasdite, sa persona janë evakuar deri tani dhe ku janë sistemuar?

Ministrja Koçiu: Kemi një vlerësim të deritanishëm, janë rreth 20 familje të cilat janë evakuuar në të dy këto dy zona, pra Katund të Ri dhe Vadardhë, ndërkohë që situata është dinamike. Aktualisht strukturat e Forcave të Armatosura janë aty e po evakuojnë çdo banesë që shihet si rrezik edhe paraqet rrezik për banorët.

Patjetër që e rëndësishme është që duhet t’u besojnë autoriteteve shtetërore dhe të mos ndërmarrin masa vetë për të dalë, për të lënë banesën apo për të gjetur një mënyrë tjetër apo zgjidhje tjetër, pasi vetë strukturat dhe autoritetet përgjegjëse janë kompetente dhe e dinë zhvendosjen nga shtëpia e banimit për t’u akomoduar në një vend të sigurt.

Aktualisht ka struktura hoteliere, por ndërkohë janë edhe dy struktura të Konvaleshencës së Ministrisë së Brendshme dhe ajo e Ministrisë së Mbrojtjes, që janë vënë në dispozicion dhe po suportohen nga Rezervat Materiale të Shtetit për të plotësuar të gjithë instrumentin, apo mekanizmin e emergjencave civile që ngrihet në këto raste. Siç e thashë, strukturat shtetërore janë të gjitha të angazhuara, janë në këmbë për të përballuar dhe për të ndihmuar çdo qytet dhe çdo familje që ka nevojë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat