Shqipëria Postuar më 29 Korrik 2025, 11:52

Reshjet e shiut shuajnë zjarret/ Dy vatra janë ende aktive, 4 në monitorim dhe 46 janë shuar

Nga Diamila Leka

Reshjet e shiut shuajnë zjarret/ Dy vatra janë ende aktive, 4 në

Reshjet e shiut që kanë nisur në orët e para të së martës kanë ndikuar ndjeshëm në shuarjen e pjesës më të madhe të zjarreve në Shqipëri. Referuar të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 52 vatra zjarri, ndër të cilat 2 janë ende aktive, 4 vatra janë në monitorim dhe 46 janë shuar.  

Mbeten aktive vatrat në zonën perëndimore të tunelit të Skërficës, bashkia Gjirokastër, ku ndërhyrja nuk mundëson futjen e trupave, për shkak të terrenit të thepisur dhe bimësisë shumë të dendur. Aktive mbetet edhe vatra në fshatin Spatharë, bashkia Skrapar, ku zjarri ka rënë në një sipërfaqe kullote. Në vendngjarje ndodhen forca nga të gjitha strukturat operacionale, që po punojnë për vënien nën kontroll të vatrës.

Në monitorim, me qëllim shmangien e riaktivizimit janë vatrat e zjarrit në Parkun Kombëtar të Prespës, në fshatin Dishnicë, bashkia Korçë, në fshatin Strelcë, bashkia Maliq dhe në fshatin Veliq, bashkia Tropojë.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 52 automjete zjarrfikëse dhe 722 forca operacionale. Gjithashtu, në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë dhe 2 helikopterë nga Forcat e Armatosura, që operuan në dy zona.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë pranë strukturave përkatëse për çdo vatër të dyshimtë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat