Shqipëria Postuar më 13 Korrik 2026, 12:29

Rendimenti nga qiratë bie në disa zona të Durrësit/ Investropa: Çmimet e apartamenteve janë rritur më shpejt se të ardhurat që gjenerojnë

Nga Scan TV

Rendimenti nga qiratë bie në disa zona të Durrësit/

Disa nga lagjet dhe zonat më të njohura të Durrësit janë bërë më pak tërheqëse për investitorët që synojnë të gjenerojnë të ardhura nga qiraja gjatë 12 muajve të fundit. Ndër to renditen Vollga, Porto Romano/Marina, Gjiri i Lalëzit, Qerreti, si edhe një pjesë e stokut të apartamenteve në Golem.

Studimi nga Investropa thekson se këto zona vazhdojnë të jenë të preferuara për banim dhe pushime, ndërsa kërkesa mbetet e lartë. Megjithatë, për investitorët që synojnë fitime nga qiraja, rritja e shpejtë e çmimeve të apartamenteve ka bërë që kthimi nga investimi të jetë më i ulët. Sipas analizës, sfida nuk lidhet me mungesën e kërkesës, por me faktin se çmimet e blerjes janë rritur më shpejt sesa të ardhurat që mund të gjenerohen nga qiraja.

Vollga është një nga zonat ku ky fenomen është më i dukshëm. Një apartament me një dhomë gjumi jep një normë neto kthimi prej rreth 3.5%, edhe pse qiraja mujore arrin mesatarisht në rreth 54,700 lekë.

Edhe më i ulët rezulton kthimi në Porto Romano/Marina, ku një apartament me një dhomë gjumi siguron një rendiment neto prej rreth 2.4%, ndërsa një apartament me dy dhoma gjumi rreth 2.6%.

Në të njëjtën linjë renditen edhe Qerreti dhe Gjiri i Lalëzit, të cilat po orientohen gjithnjë e më shumë drejt blerësve që kërkojnë një pronë për stil jetese apo pushime, sesa për investim me synim fitimin nga qiraja. Në Qerret, një apartament me një dhomë gjumi ofron një rendiment neto prej rreth 3.2%, ndërsa në Gjirin e Lalëzit rreth 3.3%.

Studimi rekomandon që këto zona të mos përjashtohen si zgjedhje për banim apo shtëpi pushimi, por këshillon investitorët të tregohen të kujdesshëm nëse objektivi kryesor është gjenerimi i të ardhurave nga qiraja. Sipas Investropa-s, pagimi i çmimeve të larta për prona me karakter kryesisht rezidencial apo turistik mund të mos garantojë kthimin e dëshiruar financiar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat