Shqipëria Postuar më 18 Dhjetor 2024, 12:20

Rekordi i ndërtimit, 5-fishohen të ardhurat nga taksat lokale - Bashkitë fitojnë 80 milionë euro shtesë gjatë këtij viti, tejkalohet plani

Nga Elisabeta Dosku

Rekordi i ndërtimit, 5-fishohen të ardhurat nga taksat lokale -

Në 10 muaj pushteti vendor ka mbledhur 27.4 miliardë lekë apo 278 milionë euro vetëm nga taksat lokale, përjashtuar këtu taksën mbi pronën.

Të dhënat e detajuara nga Ministria e Financave, tregojnë se krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janë paguar afro 81 milionë euro më shumë, duke shënuar rritje me 41.2 për qind.

Po ashtu, në raport me planifikimin e bërë për të njëjtën periudhe, të ardhurat kanë kapërcyer me 16 milionë euro.

Nëse do të analizojmë në një periudhë 10-vjeçare, të ardhurat shënojnë nivel rekord, me një rritje rreth 4.5 herë më shumë raport me vitin 2014, ku të hyrat nga këto taksa regjistroheshin në 63 milion euro.

Duke qenë se kontributin kryesor në të ardhurat nga taksat lokale e zë taksa e ndikimit në infrastrukturë, lidhur drejtpërsëdrejti me lejet e dhëna për ndërtimet e reja, është një tregues për ecurinë pozitive të sektorit të ndërtimit ndër vite, duke u rikonfirmuar si një ndër sektorët kryesor që udhëheq rritjen ekonomike të vendit. 

Sa i takon të dhënave të këtij viti, peshën kryesor e ka pasur Bashkia Tiranë, e cila nga kjo taksë rezulton me një rritje të të ardhurave me rreth 130%, ndikuar nga drejtpërdrejt edhe nga rritja e çmimeve mesatare referuese të sipërfaqeve të ndërtesave e cila jep efekt në vlerën e të ardhurave për taksën e ndikimit në infrastrukturë.

Ndikim tjetër në këtë performancë në 61 bashkitë në vend ka pasur rritja e të ardhurave nga tarifat e pastrimit/menaxhimit të mbetjeve me rreth 34 %.

Nga një vlerësim i përgjithshëm i Ministrisë së Financave rezulton se në pjesën me të madhe të bashkive një ndikim të konsiderueshëm në performancën pozitive të tyre ka zbatimi i praktikave të miradministrimit fiskal dhe kryesisht zbatimi i procedurave standarde të masave shtrënguese.

Në nivel bashkie nga 61 Bashkitë e vendit, për këtë vit,  53 bashki rezultojnë me rritje të të ardhurave te veta, duke reduktuar numrin e bashkive me rënie në 8 bashki, nga 22 Bashki që ishin një vit më parë.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat