Shqipëria Postuar më 3 Korrik 2025, 10:53

Rekord në zhdoganimin e mallrave të akcizës - 6 -mujori/ Doganat arkëtojnë 36 milionë euro më shumë 

Nga Scan TV

Rekord në zhdoganimin e mallrave të akcizës -  6 -mujori/ Doganat
Administrata doganore ka mbledhur afro 113.7 miliardë lekë në gjysmën e parë të vitit.  Referuar të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave,   plani i bërë për këtë periudhë është realizuar në masën 100%. Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, janë mbledhur 3.6 miliardë lekë apo 36 milionë euro më shumë, ose +3.3% rritje.

Sipas informacionit doganat arritën të ruajnë performancë të qëndrueshme në mbledhjen e të ardhurave, veçanërisht sa i përket rritjes së zhdoganimeve për mallrat e akcizës, ku janë shënuar sasi rekord.

Konkretisht janë zhdoganuar 44,000 ton më shumë karburant krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e konsumit të karburanteve, si një nga produktet kryesore që ndikon në zinxhirin ekonomik të mallrave dhe shërbimeve, sinjalizon rritje të kërkesës së brendshme dhe rritje ekonomike.

Shtrirja e sezonit turistik përgjatë gjithë vitit, ku nuk kemi vetëm turistë të interesuar për zonat bregdetare, por edhe për të vizituar qytete turistike të vendit, dhe pjesë e mirë vijnë me automjete personale apo marrin makina me qira, ka bërë që të rritet ndjeshëm konsumi.

Ndërkohë që janë zhdoganuar 4,770 ton birrë importi më shumë se një vit më parë, çka lidhet sërish drejtpërsëdrejti me turizmin dhe shtimin e konsumit për këtë produkt. Por nga ana tjetër rritja e  importit është favorizuar edhe nga unifikimi i akcizës për prodhimin vendas, ka sjellë disavantazh për fabrikat që operojnë në Shqipëri të cilat po përballen me kosto të larta dhe vështirësi të shumta, por nga ana tjetër ka krijuar më shumë terren për importuesit. 

Nga ana tjetër janë importuar dhe zhdoganuar 96 ton cigare më shumë se 6 mujori 2024.

Importi i kafesë për këtë periudhë ka pasur një rritje prej 97 ton.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat