Shqipëria Postuar më 26 Mars 2026, 10:21

Regjistër për ekzekutimin dhe vjeljen e gjobave - Nga penalitetet për makinat, deri tek masat për bizneset në një sistem të vetëm

Nga Elisabeta Dosku

Regjistër për ekzekutimin dhe vjeljen e gjobave - Nga penalitetet

Shqipëria do të ketë një regjistër të posaçëm për ekzekutimin dhe vjeljen e gjobave të vendosura ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

Referuar vendimit të qeverisë të publikuar në Fletoren Zyrtare, regjistri do të shërbejë si një Sistem i Qendërzuar i Mbledhjes së Gjobave. Institucioni administrues i bazës së të dhënave shtetërore në këtë regjistër do të jetë Inspektorati i Përgjithshëm. Të dhënat që përmban Regjistri për Ekzekutimin dhe Vjeljen e Gjobave ndahen në të  dhëna parësore dhe në të dhëna dytësore.  

Konkretisht në të dhënat parësore përfshihet numri unik i identifikimit të gjobës, ndërsa në të dhënat dytësore, janë të dhënat personale të gjeneruara nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile për individin që ka marrë gjobën, që nga emri, datëlindja, vendbanimi, etj, Sistemi elektronik i gjobave të Policisë së  Shtetit, që përfshin të dhënat për të gjitha gjobat e makinave dhe masat e tjera për shkelje të rregullave të qarkullimit; Sistemi e-Inspektim, ku përfshihen gjobat e vendosura nga Inspektorati Qendror dhe ai vendor; Sistemi elektronik e-DPSHTRR për të dhënat që lidhen me të dhënat teknike të mjetit, duke  përfshirë numrin e regjistrimit; numrin e identifikimit të mjetit; llojin/tipin e mjetit; markën; etj; Regjistri elektronik i tatimpaguesve i Drejtorisë  së Përgjithshme të Tatimeve, i cili përfshin të gjitha të dhënat për tatimpaguesit, nga numri i NIPT, tek adresa e subjektit apo emri i administratorit.

Të dhënat e Regjistrit për Ekzekutimin dhe Vjeljen e Gjobave përditësohen periodikisht nga struktura përgjegjëse, sa herë është e nevojshme apo ka ndryshime të këtyre të dhënave.

Baza e të dhënave të Regjistrit për  Ekzekutimin dhe Vjeljen e Gjobave ndërvepron nëpërmjet shkëmbimit elektronik të të dhënave me  bazën e të dhënave shtetërore si Regjistri tregtar; Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile; Sistemi elektronik i gjobave të Policisë së Shtetit;  Sistemi  e - Inspektimi; Sistemi elektronik e-DPSHTRR;  Regjistri elektronik i tatimpaguesve; Regjistri i pronarëve përfitues.

Pagesa e gjobave do të bëhet online në portalin  e -Albania nëpërmjet shërbimit të dedikuar elektronik, i ndërlidhur me platformën e pagesave  elektronike, si dhe me mandatpagesë.

 

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat