Shqipëria Postuar më 15 Nëntor 2024, 10:59

“Regjimi i lirë i kursit të këmbimit përballoi goditjet” - Përfaqësues të BERZH, takohen me guvernatorin, Sejko

Nga Diamila Leka

“Regjimi i lirë i kursit të këmbimit përballoi

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me përfaqësues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Gjatë takimit një fokus të veçantë patën zhvillimet në sistemin financiar e bankar, si dhe pritshmëritë për ekonominë.

Përfaqësuesit e BERZH, theksuan se politika e kujdesshme monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë si dhe regjimi i lirë i kursit të këmbimit, kanë pasur në ruajtjen e stabilitetit dhe në përballimin e goditjeve, duke i mundësuar Shqipërisë të ketë një ndër performancat më të mira ekonomike në rajon.

Po ashtu, ata nënvizuan dhe suksesin që masat mbikëqyrëse dhe politika rregullatore kanë pasur në garantimin e qëndrueshmërisë së sektorit bankar dhe në ecurinë e mirë të kreditimit.

Përfaqësuesit e BERZH-it inkurajuan vijimin e kësaj filozofie administrimi ekonomik edhe në të ardhmen, duke theksuar rëndësinë që një bankë qendrore profesionale, e përgjegjshme dhe e pavarur, ka për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Së fundi, ata inkurajuan aktorët vendorë që, duke u nisur nga perspektiva konkrete e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të fokusohen në përshpejtimin e agjendës të reformave strukturore në vend.

Nga ana e tij, guvernatori Sejko theksoi se, gjatë vitit 2024: ekonomia vendase ka bërë progres të dukshëm; niveli i inflacionit është përgjysmuar krahasuar me një vit më parë; rritja ekonomike ka mbetur në nivele të larta; ndërsa borxhi publik dhe ai i huaj kanë shënuar rënie.

Sektori bankar është likuid dhe i mirëkapitalizuar, treguesi i kredive me probleme vijon të shënojë rënie, ndërsa niveli i kreditimit vazhdon tendencën rritëse. Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria ka një ndër normat më të ulëta të inflacionit dhe rritjen më të ngadaltë të kostove të financimit.



Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat