Shqipëria Postuar më 29 Korrik 2025, 11:07

“Reformohet” ligji për produktet jo-ushqimore/ Drafti në Konsultime Publike, në përputhje me rregullat e BE-së

Nga Diamila Leka

“Reformohet” ligji për produktet jo-ushqimore/ Drafti në

Në kuadër të përpjekjeve për përmirësimin e funksionimit të tregut të brendshëm dhe përafrimin me legjislacionin evropian, në Konsultimet Publike është publikuar projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve jo-ushqimore”.

Rregullorja e re synon të forcojë kontrollin mbi tregun shqiptar të produkteve jo-ushqimore, duke siguruar që vetëm produktet që plotësojnë kërkesat e legjislacionit të harmonizuar evropian të lejohen të qarkullojnë në treg. Këto masa synojnë garantimin e një niveli të lartë të mbrojtjes së interesave publike, siç janë siguria dhe shëndeti i konsumatorëve, siguria në vendin e punës, mbrojtja e mjedisit dhe e sigurisë publike.

Ky projektligj përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, konkretisht në përmbushjen e kërkesave të Kapitullit 1 të BE-së, që ka të bëjë me Lëvizjen e lirë të mallrave. Për më tepër, iniciativa është në linjë me objektivat e Procesit të Berlinit, duke ndihmuar në forcimin e integrimit rajonal dhe krijimin e një tregu të përbashkët ballkanik.

Por cilat janë objektivat kryesore të projektligjit?

Sipas relacionit, objektivat kryesore përfshijnë rritjen e kapaciteteve dhe efikasitetit të autoriteteve mbikëqyrëse për tregun e produkteve jo-ushqimore. Sigurimin e përputhshmërisë së produkteve në tregun shqiptar me standardet evropiane deri në vitin 2030. Harmonizimin e legjislacionit shqiptar me Rregulloren (BE) 2019/1020 brenda vitit 2025. Garantimin e mbrojtjes së konsumatorëve nga produktet e pasigurta, duke rritur besimin në tregun vendas.

Krijimin e mekanizmave për informimin dhe zbatimin e detyrueshëm të kërkesave ligjore nga të gjithë operatorët ekonomikë. Projektligji pritet të ketë një ndikim pozitiv në cilësinë dhe sigurinë e produkteve jo-ushqimore në Shqipëri, duke i afruar standardet vendase me ato të Bashkimit Evropian dhe duke kontribuar në mbrojtjen e konsumatorit shqiptar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat