Shqipëria Postuar më 11 Korrik 2025, 11:23

‘Reformë institucionale për kontrollin e territorit’ - Rama: Rregulla të reja për kantieret e ndërtimit!

Nga Edel Strazimiri

‘Reformë institucionale për kontrollin e territorit’ -

Kryeministri Edi Rama u shpreh për një reformë gjithëpërfshirëse të institucioneve në nivel qendror dhe lokal, mbi kontrollin e territorit kundër ndërtimeve të paligjshme dhe respektimin e rregullave në kantieret e ndërtimit, pa cenuar hapësirat për publikun.

Në takimin e zhvilluar sot me kryetarët e bashkive, për performancën lokale në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” dhe rrugës së pandalshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Rama tha se, “kërkohet reformë dhe të ndërhyjmë në legjislacion në të gjitha ato hallka që është e nevojshme dhe kanë lindur si nevojë nga një eksperiencë e gjatë dhe nga ajo se çfarë na ka treguar territori”.

Rama tha se “do të duhet të bëjmë një reformë që duhet të përfshijë inspektoratet e mbrojtjes së territorit në nivel bashkiak, policitë bashkiake, IKMT-në, zyrat e Urbanistikës. Është shumë e qartë që në territore të caktuara, deri edhe në një bashki strategjike siç është Himara, apo në Kolonjë, apo në Roskovec, apo në Vaun e Dejës, apo edhe Malësia e Madhe, nevoja për burime njerëzore të kualifikuara kërkon një reformë, për të shërbyer të gjitha këto territore me cilësinë më të mirë të mundshme të mendimit urbanistik dhe shërbimit ligjor për bashkitë, kompanitë, për pronarët, që me të drejtë duan të zhvillojnë pronat e tyre”.

“Është koha për të bërë sintezë të këtyre strukturave dhe për të krijuar më shumë shërbim për bashkitë, duke mos e lidhur domosdoshmërisht këtë shërbim me çfarë burimesh njerëzore ka dhe diskuton aty territori. Na duhet një punë e posaçme për këto, por na duhen edhe rregulla të reja për kantieret, që janë bërë një problem më vete për ndotjen e mjedisit, shqetësimit që krijojnë jashtë kufijve të veprimtarisë së tyre, që zënë edhe trotuare, siç ndodh në Lungomare të Vlorës, ku njerëzit duhet të zbresin në rrugë”, u shpreh Kryeministri.

Ai u shpreh gjithashtu se, “na duhet një qasje me masa shtesë që duhen marrë për të dekurajuar dhe për t’i dhënë një goditje përfundimtare fenomentit të ndërtimeve pa leje, që ka rënë shumë, por që është gjithsesi jo pak”.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat