Shqipëria Postuar më 25 Mars 2026, 13:48

Reformat në administratën publike - Fokusi te efikasiteti, trajnimi dhe standardet e BE-së

Nga Fabjona Pasho

Reformat në administratën publike - Fokusi te efikasiteti, trajnimi

Administrata publike po hyn në një fazë më konkrete transformimi, si pjesë e përgatitjes së vendit për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Në qendër të kësaj faze do të jetë zbatimi i Strategjisë Ndërsektoriale të Reformës në Administratën Publike 2025–2030, i Planit të Veprimit 2025–2027 dhe i Pasaportës së Indikatorëve, një paketë që synon jo vetëm modernizimin e administratës, por edhe përshtatjen e saj me kërkesat më të forta të procesit negociues me BE-në. Dokumenti parashikon që administrata të bëhet më e digjitalizuar, më transparente, më e matshme në rezultate dhe më e orientuar drejt qytetarit.

Në praktikë, kjo do të thotë se në vitet në vijim priten ndryshime më të prekshme në mënyrën se si funksionon shteti. Do të forcohet sistemi i menaxhimit të burimeve njerëzore, do të rishikohen rregullat për performancën, ndërsa ofrimi i shërbimeve publike do të lidhet më drejtpërdrejt me kënaqësinë e qytetarëve dhe me mekanizma të strukturuar. Po ashtu, administrata do të punojë me instrumente vlerësimi në kohë reale, me synimin që politikat publike të korrigjohen më shpejt dhe mbi bazë prove.

Një nga risitë më konkrete lidhet me mënyrën si do të mbikëqyren institucionet publike. Dokumenti parashikon krijimin e një sistemi të detyrueshëm dhe të uniformizuar të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies për institucionet e varësisë, të bazuar te rezultatet dhe performanca.

Një tjetër drejtim është motivimi dhe mbajtja e kapitalit njerëzor në administratë. Dokumenti nënvizon se “Paketa e Motivimit” për nëpunësit publikë, e prezantuar mbi praktikat europiane, do të vijojë. Si masa konkrete, janë finalizuar fleksibilizimi i orarit të punës dhe përmirësimi i regjimit të pushimeve vjetore, me synimin për të forcuar balancën punë–jetë private dhe për të rritur mirëqenien dhe angazhimin e nëpunësve.

Përgatitja e administratës për standardet europiane po shoqërohet edhe me programe të reja lidershipi dhe teknologjie. Në kuadër të programit ekzekutiv 2025, janë certifikuar 67 drejtues të administratës publike. Këto lëvizje tregojnë se reforma nuk po shihet vetëm si ndryshim ligjesh, por edhe si përgatitje e drejtuesve dhe e administratës për një qeverisje më moderne.

Deri në vitin 2025, janë hedhur edhe bazat financiare të kësaj faze të re. Reforma e pagave në administratën publike, e shtrirë gjatë viteve 2023–2024, ka kushtuar rreth 39 miliardë lekë dhe ka përfshirë rreth 130 mijë punonjës publikë. Si rezultat, paga mesatare në administratë ka arritur në 1,050 euro, nga 530 euro në fillim të vitit 2023.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat