Shqipëria Postuar më 11 Korrik 2025, 12:02

Reforma territoriale trefishoi buxhetin vendor - Malaj: Bashkitë, planet e shlyerjes së detyrimeve brenda 20 korrikut

Nga Edel Strazimiri

Reforma territoriale trefishoi buxhetin vendor - Malaj: Bashkitë, planet e

Ministri i Financave bëri të ditur sot se buxheti vendor është rritur ndjeshëm pas fillimit të reformës territoriale në vitin 2015, duke u trefishuar në vitin 2025. Në vitin 2015, buxheti vendor ishte 35 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2025 ai parashikohet të arrijë në 89,9 miliardë lekë.

Po ashtu, transferimet e pakushtëzuara janë rritur nga 12,3 miliardë lekë në vitin 2015 në 26,2 miliardë lekë në vitin 2025, një rritje prej 2,1 herë. Investimet në infrastrukturë të financuara nga të ardhurat e veta të bashkive, theksoi ai, janë rritur gjithashtu nga 8 miliardë lekë në vitin 2015 në rreth 17 miliardë lekë në vitin 2025, që përfaqëson një trefishim të tyre.

Ministri theksoi gjithashtu përmirësimin e ndjeshëm të performancës së bashkive në të ardhurat vendore. Nga viti 2015 deri në 2025, të ardhurat janë rritur me 300 milionë euro, ose 3,4 herë më shumë se në vitin 2015. “Në vitin 2024, peshën më të madhe në të ardhurat vendore e zë taksa e ndikimit në infrastrukturë me rreth 42%, e ndjekur nga taksa mbi ndërtesat me rreth 13% dhe po aq tarifa e pastrimit”, deklaroi Malaj.

Në lidhje me detyrimet vendore, Malaj tha se është shënuar një përmirësim i ndjeshëm në nivel bashkish. Sipas tij, stoku i detyrimeve është ulur me 74%, nga 12,1 miliardë lekë në vitin 2015, në 3,2 miliardë lekë në vitin 2024. “Detyrimet e prapambetura lidhen kryesisht me vendime gjyqësore apo investime dhe i përkasin dy viteve të fundit”, deklaroi Malaj.

Gjithashtu ai theksoi se bashkitë që përballen me vështirësi financiare duhet të hartojnë dhe miratojnë planet e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura deri më 20 korrik.

Sipas tij, çdo plan duhet të miratohet në këshillin bashkiak përkatës dhe më pas të dorëzohet pranë Ministrisë së Financave dhe me pas ajo do të ndjekë zbatimin e shlyerjes së detyrimeve brenda një afati 12-mujor.

“Bashkitë me vështirësi financiare duhet të përgatisin edhe planet e rehabilitimit financiar, të cilat po ashtu duhet të miratohen deri më 20 korrik dhe t’i kalohen Ministrisë së Financave për komente dhe rekomandime”, u shpreh Malaj.

Pas vlerësimit nga Ministria, theksoi ai, këto plane do t’i kalohen degëve të Thesarit për ndjekje dhe zbatim. Ministri vlerësoi një sërë bashkish për rezultatet e arritura në realizimin e të ardhurave vendore dhe të investimeve.

Bashkitë që kanë realizuar mbi 70% të buxhetit të tyre të miratuar, si në aspektin e të ardhurave, ashtu edhe të investimeve, janë: Tirana, Kamza, Durrësi, Vlora, Elbasani dhe Shkodra. Në këtë listë, Malaj përfshiu edhe bashkinë e Lezhës, e cila ka treguar performancë të mirë veçanërisht në zbatimin e projekteve investuese.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat