Shqipëria Postuar më 3 Shtator 2025, 13:12

Reforma e ujit, si u krijuan shoqëritë rajonale? Synimi, rritja e cilësisë së shërbimit dhe qëndrueshmërisë financiare të kompanive

Nga Ola Mitre

Reforma e ujit, si u krijuan shoqëritë rajonale? Synimi, rritja e

Reforma e fundit në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve nisi në maj 2022. Sipas parashikimeve, nga një sistem i shpërndarë në 58 shoqëri pranë 61 bashkive, sektori do shkonte drejt ristrukturimit në 15 shoqëri rajonale, me synim rritjen e efikasitetit, cilësisë së shërbimit dhe qëndrueshmërisë financiare.

Aktualisht funksionojnë 14 shoqëri rajonale, teksa mbetet ende Tirana, që sipas reformës duhet të bashkohet me Vorën dhe Kamzën.

Me ristrukturimin, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë zotëron 51% të aksioneve të kompanive të reja të krijuara, ndërsa përpara reformës aksionet e ujësjellësve zotëroheshin në masën 100% nga bashkitë ku ato ushtronin aktivitetin. Tashmë këto të fundit zotërojnë 49% të aksioneve. Pjesën më të madhe të aksioneve e kanë bashkitë që janë qendra qarqesh, ndërsa më të voglat zotërojnë më pak aksione.

Në një raport të publikuar pak javë më parë, Enti Rregullator i Ujit bëri me dije se reforma ka dhënë rezultate konkrete, duke shënuar përmirësime të dukshme në raportimin financiar, menaxhimin e të ardhurave dhe shërbimin ndaj konsumatorit.  Gjithsesi, sipas Entit Rregullator, pavarësisht progresit, reforma është shoqëruar me sfida të trashëguara, si mospërputhje financiare, detyrime të mbartura, mungesë stafi të kualifikuar apo llogari të bllokuara bankare, që kanë krijuar vështirësi në operim.

Ndërkaq, përpos ngritjes së Operatorit Kombëtar të Ujit, një objektiv i rëndësishëm mbetet unifikimi i tarifave brenda shoqërive rajonale. Plani parashikon rritje progresive të tarifave të shoqëruara me përmirësim të cilësisë së shërbimit, duke synuar një sistem më të drejtë dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat