Shqipëria Postuar më 11 September 2026, 12:20

Reforma e re në strehim - Ministrja Ibrahimaj publikon detajet: Kredi me 0% dhe 3% interes

Nga Diamila Leka

Reforma e re në strehim - Ministrja Ibrahimaj publikon detajet: Kredi me 0%

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ndau për publikun detaje të reformës së re në fushën e strehimit. Sipas saj, reforma nuk do t'i dedikohet vetëm shtresave në nevojë, por edhe profesionistëve të rinj, çifteve të reja dhe familjeve që e kanë të vështirë të përballojnë kostot e strehimit në vitet e para të jetesës.

“Do të jenë 7,000 apartamente të cilat do të vihen në dispozicion në bazë të paketës së re ligjore që ne jemi duke përmbyllur, ku konkretisht do të jenë 4,000 kredi të buta, ku 2,000 do të jenë kredi me zero interes për apartamente të cilat janë deri në 60,000 euro vlerë, ku do t'u jepen profesionistëve të rinj dhe çifteve të reja. Ndërkohë që, për apartamente të cilat janë më të mëdha, duke qenë se vlera 60,000 euro limiton sipërfaqen e apartamenteve, ne duam të bëjmë një politikë të re për të gjitha familjet e reja me një apo më shumë fëmijë, në të cilën do të vihen në dispozicion 3,000 apartamente me një kredi të butë, me një normë interesi 3% fikse”, tha ministrja.

Një tjetër element i rëndësishëm i reformës është ndryshimi i mënyrës së planifikimit të blloqeve të reja të banimit.

“Kemi më shumë se 80% të qytetarëve shqiptarë të cilët jetojnë në banesa në pronësinë e tyre dhe kjo do të thotë që një nga aspektet kryesore të sigurisë së jetesës lidhet me strehimin. Kjo është dhe arsyeja pse ne kemi vendosur të bëjmë këtë reformë të madhe, e cila nuk do të jetë vetëm një reformë në produktet dhe instrumentet që ne do të përdorim, por do të jetë një reformë tërësore edhe nga ana e mekanizmit të qeverisjes së këtij instrumenti, ku padiskutim, përveç produkteve që unë sapo përmenda, do të fillojmë ndërtimin e disa blloqeve ndërtesash, të cilat do të kenë një përdorim. Ne e quajmë 30-40-30, ku 30% e ndërtesave do t'u dedikohen banesave sociale dhe shtresave në nevojë apo të dizavantazhuara. 40% e banesave do t'i dedikohen strehimit të përballueshëm, pra strehimit për atë kategori familjesh apo individësh që nuk konsiderohen të varfër, konsiderohen shtresë e mesme, por që gjithashtu nuk arrijnë dot të përballojnë vlerën e një banese në vitet e tyre të para të jetesës bashkë, të krijimit të familjes apo të punës. Dhe 30% do t'i dedikohet shitjes në tregun e lirë”, tha Ibrahimaj.

Ibrahimaj tha se kjo politikë është studiuar duke marrë në konsideratë modele nga vendet europiane, rajoni dhe vende të tjera, me synimin që të shmanget krijimi i zonave të banuara vetëm nga një kategori sociale.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat