Shqipëria Postuar më 10 Nëntor 2025, 10:37

“Reforma e Pensioneve, shtylla e buxhetit 2026” - Malaj: Në të njëjtën linjë është edhe rritja e pagës minimale në 700 euro deri në 2029

Nga Ledina Elezi

“Reforma e Pensioneve, shtylla e buxhetit 2026” - Malaj: Në

“Shtylla themelore e këtij buxheti është padiskutim Reforma e Pensioneve, që do të nisim në vitin e ardhshëm dhe do të shtrihet deri në vitin 2030”. Kështu është shprehur Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë prezantimit të projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2026” në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, i cili e vendosi theksin edhe njëherë në rritjen graduale të pensioneve duke nisur nga 2026.

Sipas tij, përmes rritjeve synohet që të ardhurat mesatare mujore të arrijnë në 40,000 lekë për pensionet urbane të plota dhe 18,000 lekë për pensionet mesatare rurale nga 11,400 lekë aktualisht.

“Duke filluar nga Janari 2026, përmes mbështetjes buxhetore do të zbatojmë një kompensim të ardhurash për të gjithë pensionistët, bazuar në kategorinë e pensionit që përfitojnë. Dhe më konkretisht 1,800 lekë/muaj për pensionet urbane me vite të plota pune; 800 lekë/muaj për pensionet urbane të pjesshme; 1,000 lekë/muaj për pensionet rurale (të dalë në pension para 31.12.2014); 700 lekë/muaj për pensionet familjare; 600 lekë/muaj për pensionet e invaliditetit të punës. Kjo ndërhyrje synon rritjen graduale të nivelit të pensioneve, me objektivin që deri në vitin 2030, të ardhurat mesatare mujore nga të arrijnë: 40,000 lekë për pensionet urbane të plota nga nga 27.350 lek aktualisht 22,000 lekë për pensionet urbane të pjesshme nga 16.300 lek aktualisht; 18,000 lekë për pensionet mesatare rurale nga 11,400 lekë aktualisht”, tha Malaj.

Në të njëjtën linjë me pensionet është edhe rritja e pagës minimale, e cila pritet të arrijë në 70,000 lekë deri në fund të mandatit.

“Duke filluar nga 1 janari 2026, Paga Minimale për efekt të kontributeve shoqërore do të rritet me 10,000 lekë, duke arritur në 50,000 lekë. Nga kjo rritje parashikohet të përfitojnë 307,850 të punësuar në sektorin publik dhe privat. Ndërsa planifikimi afatmesëm është për ta çuar pagën minimale në 60,000 lekë në vitin 2028 dhe 70,000 lekë deri në fund të mandatit”, u shpreh Ministri.

Për sa i përket Paketës Fiskale, e cila përfshin faljen e detyrimeve tatimore dhe kamatvonesave më të vjetra se 10 vite për bizneset, Malaj tha se ka përfunduar hartimi i plotë i Paketës, ndërsa pritet që së shpejti të paraqitet edhe në Komision për diskutim.

 

PROJEKTBUXHETI 2026

Fjala e Ministrit në Komisionin e Ekonomisë, Punësimin dhe Financat

E Nderuar Kryetare,

Të nderuar anëtarë,

Projektligji i buxhetit të vitit 2026 që nisim të diskutojmë sot është hartuar si një dokument që synon t’i përgjigjet angazhimeve që ka marrë Qeveria, me fokus kryesor:

Ø Të rrisim nivelin e mirëqenies dhe mbrojtjes sociale për qytetarët tanë;

Ø Të garantojmë një rritje ekonomike të qëndrueshme;

Ø Të sigurojmë konsolidimin fiskal;

Ø Si dhe të përshpejtojmë procesin e integrimit evropian

Projektbuxheti 2026 parashikon një nivel total shpenzimesh prej 886.7 miliardë lekësh, duke ruajtur ekuilibrin midis qëndrueshmërisë fiskale dhe nevojës për të mbështetur zhvillimin social dhe ekonomik të vendit.

Vemendja jonë dhe Kryefjala e këtij projektbuxheti është padyshim rritja e mirëqenies sociale, duke vijuar më tej me nxitjen për modernizimin e infrastrukturës, përsosjen e sistemeve digjitale, por edhe te zhvillimi i kapitalit njerëzor përmes arsimit dhe punësimit cilësor.

Shtylla themelore e këtij buxheti është padiskutim Reforma e Pensioneve, që do të nisim në vitin e ardhshëm dhe do të shtrihet deri në vitin 2030.

Të moshuarit, kjo kategori e nderuar, do të marrë mbështetje direkte financiare nga buxheti i shtetit. Menjëherë pas Bonusit të fundvitit, të miratuar tashmë, me fillimin e vitit të ri ne do të zbatojmë edhe rritjen graduale të pensioneve në përputhje me aftësinë fiskale të shtetit dhe kontributin real të qytetarëve në sistemin e sigurimeve shoqërore.

Kështu, duke filluar nga Janari 2026, përmes mbështetjes buxhetore do të zbatojë një kompensim të ardhurash për të gjithë pensionistët, bazuar në kategorinë e pensionit që përfitojnë.

Dhe më konkretisht :

1,800 lekë/muaj për pensionet urbane me vite të plota pune;
800 lekë/muaj për pensionet urbane të pjesshme;
1,000 lekë/muaj për pensionet rurale (të dalë në pension para 31.12.2014);
700 lekë/muaj për pensionet familjare;
600 lekë/muaj për pensionet e invaliditetit të punës.
Kjo ndërhyrje synon rritjen graduale të nivelit të pensioneve, me objektivin që deri në vitin 2030, të ardhurat mesatare mujore nga të arrijnë:

40,000 lekë për pensionet urbane të plota nga nga 27.350 lek aktualisht
22,000 lekë për pensionet urbane të pjesshme nga 16.300 lek aktualisht
18,000 lekë për pensionet mesatare rurale nga 11,400 lekë aktualisht
18,000 lekë për pensionet mesatare familjare nga 11,300 lekë aktualisht,
30,000 lekë për pensionet e invaliditetit nga 24,300 lekë aktualisht.
Efekti financiar i parashikuar për këtë masë për vitin 2026 është parashikuar rreth 10.4 miliardë lekë, që do të mbulohet plotësisht nga buxheti i shtetit. Në fund të manadit, ky efekt pritet të jetë në rreth 52 miliardë lekë, ndërsa në total për përiudhën 2026-2030 ky fond llogaritet në rreth 1.7 miliardë euro.

Kjo ndërhyrje, e parashikuar financiarisht në buxhetin e shtetit nuk është një masë vetëm thjeshtë sociale, por një politikë strukturore, që mbështetet mbi bazat e konsolidimit ekonomik, por edhe të të ardhura të qëndrueshme buxhetore. Nëpërmjet saj ne synojmë t’i kthejmë brezit të të moshuarve vlerësimin dhe dinjitetin e merituar, por duke forcuar njëkohësisht edhe besueshmërinë e sistemit të pensioneve.

Në të njëjtën linjë me këtë qasje, Projektbuxheti 2026 reflekton edhe angazhimin e qeverisë për rritjen e pagave të punonjësve publikë, por dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse.

Duke filluar nga 1 janari 2026, Paga Minimale për efekt të kontributeve shoqërore do të rritet me 10,000 lekë, duke arritur në 50,000 lekë. Nga kjo rritje parashikohet të përfitojnë 307,850 të punësuar në sektorin publik dhe privat.

Ndërsa planifikimi afatmesëm është për ta çuar pagën minimale në

·       60,000 lekë në vitin 2028

·       dhe 70,000 lekë deri në fund të mandatit.

Përmes kësaj politike ne synojmë të garantojmë një afrim më të ndjeshëm me nivelin mesatar të pagës minimale në vendet e rajonit, por edhe më gjerë, duke ndikuar pozitivisht në formalizimin e tregut të punës dhe rritjen e produktivitetit.

Një tjetër element risie i këtij projektbuxheti është zbatimi i indeksimit periodik të pagave në administratën publike, duke e bërë sistemin e kompensimit më fleksibël dhe të lidhur me ndryshimet e inflacionit.

Gjithashtu, janë parashikuar rritje të diferencuara pagash, për të mbështetur në masë më të lartë punonjësit e sektorit mbështetës, por edhe kategori të tjera të administratës, për të garantuar një shpërndarje më të drejtë të kompensimit në nivele të ndryshme të strukturës së Administratës Publike.

Më lejoni të sjell disa shembuj:

Ø Paga e mësuesit të shkollës 9-vjeçare do të rritet me 3,000 lekë në muaj, duke e çuar pagën mesatare bruto nga 96,300 lekë/muaj në rreth 100,000 lekë/ muaj,

Ø Paga mesatare bruto e mjekut të përgjithshën, me rritjen e parashikuar do të arrijë në 143,446 lekë muaj, ndërsa e infermierit në 92,526 lekë/muaj.

Ø Paga bruto mesatare në Administratën Publike për punonjësit buxhetorë në vitin 2026 do të shkojë rreth  112,000 lekë/muaj.

Kostoja e përgjithshme e këtyre ndërhyrjeve në pagat, përfshirë rritjen e pagës minimale dhe indeksimin periodik është vlerësuar në rreth 10 miliardë lekë dhe prek mbi 144 mijë punonjës të administratës qendrore dhe vendore.

Në tërësi, ky buxhet përfaqëson një balancë të qëndrueshme midis politikave sociale dhe disiplinës fiskale, duke krijuar hapësirë reale për zhvillim, drejtësi sociale dhe përmirësim të standardeve të jetesës në vend.

Në vijim, më lejoni të paraqes një panoramë të shkurtër të treguesve makroekonomikë, që demostrojnë fondamentet e forta të ekonomisë tonë, mbi të cilat ne jemi bazuar për të hartuar këtë projekligj.

Ekonomia shqiptare ka arritur të sigurojë një trajektore të qëndrueshme zhvillimi. Politikat makroekonomike dhe fiskale, kanë qenë kyçe për këtë ecuri pozitive, duke garantuar, që fondamentet kryesore të ekonomisë, si rritja, punësimi, stabiliteti financiar dhe borxhi publik, të jenë në përmirësim të vazhdueshëm.

Për vitin 2025, rritja ekonomike do të jetë 3.9% në terma vjetorë, duke pasqyruar rritje pothuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë. Rritja përgjatë kësaj periudhe është gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, nga konsumi privat, nga investimet, si dhe nga ecuria e mirë e eksporteve të shërbimeve, në veçanti turizmi, i cili vijon të jetë një nga motorët e rëndësishëm të ekonomisë sonë. Për periudhën afatmesme, 2026-2028, rritja parashikohet mesatarisht në 4%.

Shkalla e papunësisë ka rënë në nivelin më të ulët historik prej 8.5% në tremujorin e dytë të vitit. Pjesëmarrja në forcat e punës është rritur më tej, duke arritur në 75.7% dhe norma e punësimit në 68.5%. Këto tregues dëshmojnë se ekonomia po krijon më shumë mundësi punësimi dhe po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për fuqinë punëtore.

Inflacioni ka ndjekur një trajektore rënëse dhe të qëndrueshme. Pas kulmit që arriti në vitin 2022, inflacioni mesatar ra në 2.2% gjatë vitit 2024 dhe ka qëndruar në të njëjtin nivel edhe gjatë 9-mujorit të vitit 2025. Ky stabilitet reflekton normalizimin e çmimeve të mallrave, forcimin e monedhës vendase dhe efektet e politikave të kujdesshme monetare e fiskale.

Pozicioni i jashtëm i vendit është përmirësuar ndjeshëm, duke reflektuar forcimin e bazave makroekonomike dhe rritjen e qëndrueshmërisë së ekonomisë. Pas disa viteve me disbalanca në llogarinë korrente, ekonomia shqiptare po ruan ekuilibra më të qëndrueshëm në marrëdhëniet me jashtë. Deficiti i llogarisë korrente mbetet dukshëm më i ulët se në të kaluarën (deficiti i llogarisë korrente për vitin 2013 ishte -9.2% te PBB, ndërsa për vitin 2024 ishte -2.4% te PBB), duke dëshmuar për përmirësimin e strukturës ekonomike dhe konkurrueshmërisë së sektorëve të eksportit. Ky zhvillim lidhet ngushtë me reduktimin e deficitit fiskal dhe menaxhimin e kujdesshëm të financave publike.

Sa i takon Investimeve të Huaja Direkte ato u rritën me 7% në vitin 2024, trend i cili u ruajt edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2025. Flukset hyrëse të investimeve të huaja kanë qenë të përqendruara kryesisht në pasuritë e paluajtshme, duke reflektuar zhvillimet dhe pritshmëritë pozitive për sektorin e turizmit, sektorin e ndërmjetësimit financiar, energjinë, hidrokarburet dhe telekomunikacionin.

Rezervat valutore, në fund të qershorit 2025, arritën në rreth 6.7 miliardë euro, ekuivalente me 7.3 muaj importe mesatare vjetore në mallra dhe shërbime. Ky nivel konsiderohet mëse adekuat për të përballuar ndikime të mundshme nga goditje të papritura makroekonomike.

Në tërësi, këto rezultate dëshmojnë se Shqipëria po ecën me ritme të qëndrueshme drejt forcimit të stabilitetit ekonomik dhe fiskal, duke siguruar një klimë më të favorshme për investime, si dhe duke afruar ekonominë tonë sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

Financat publike mbeten shtylla kryesore e këtij stabiliteti, përmes menaxhimit të disiplinuar dhe borxhit publik në ulje të vazhdueshme. Në vitin 2024, u arrit një balancë primare pozitive prej 1.4% të PBB-së, ndërsa Borxhi Publik zbriti në 54.2% të PBB-së, niveli më i ulët që prej vitit 2008.

Ky progres është reflektuar gjithashtu në rritjen e besimit ndërkombëtar ndaj ekonomisë shqiptare. Agjencitë më të njohura ndërkombëtare të vlerësimit, Standard & Poor’s dhe Moody’s, rikonfirmuan vlerësimin “të qëndrueshëm” për Shqipërinë, një dëshmi e qartë e qëndrueshmërisë së politikave tona financiare.

Edhe në vitin 2026, do të vijojmë rrugën e konsolidimit fiskal, me një deficit buxhetor prej vetëm 2.3% të PBB-së, duke ruajtur balancë primare neutrale dhe duke zbritur borxhin publik në 53.6% të PBB-së, në fund të vitit të ardhshëm.

Kjo do të thotë se Shqipëria po financon zhvillimin, pa rritur borxhin dhe pa rrezikuar stabilitetin ekonomik.

Të nderuar Anëtarë,

Pas kësaj përmbledhje të shkurtër të treguesve kryesorë makroekonomikë, më lejoni te ndalem te :

TË ARDHURAT BUXHETORE për vitin 2026 parashikohen në masën 823.1 miliardë lekë ose 29.6% e PBB. Krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2025, të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen me rreth 52.9 miliardë lekë ose 0.5% e PBB më shumë.

Të ardhurat nga tatimet dhe doganat dhe të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë projektuar bazuar në analizën e trendit historik shumëvjeçar të tyre, realizimit të pritshëm në vitin 2025 dhe faktorizimit të të gjithë elementëve që do ndikojnë në të ardhurat e vitit 2026 përfshirë efektet nga:

ü Rritja ekonomike,

ü Indeksi i çmimeve,

ü Politikat e reja dhe ato në zbatim tatimore dhe buxhetore,

ü si dhe të ardhurat shtesë nga miradministrimi, si rrjedhojë e zbatimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave.

Të ardhurat tatimore dhe nga kontributet, paarashikohet të jenë rreth 51,7 miliardë lekë më të larta, duke marrë si bazë krahasimore programimin që është bërë në buxhetin e ndryshuar të vitit 2025.

Burimet kryesore të rritjesë të ardhurave do të jenë:

§  Rreth 13.6 miliardë lekë nga efektet e politikave të reja tatimore dhe buxhetore të propozuar për vitin 2026;

§  Rreth 20.9 miliardë lekë më shumë të ardhura nga rritja ekonomike;

§  Dhe rreth 12,3  miliardë lekë më shumë nga zbatimi i masave të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave.

Ministria e Financave ka dërguar për miratim në Këshillin e Ministrave Paketën Fiskale 2026, e që po ashtu do ta diskutojmë edhe në këtë Komision të nderuar.

Në këtë Paketë, nuk parashikohet rritje të normave tatimore, pra nuk do të ketë asnjë rritje taksash, përkundrazi, ne do të propozojmë iniciativa ndihmuese me fokus biznesin, fermerin dhe natyrisht edhe qytetari.  

Mund të përmend shkurtimisht disa nga politikat më të rëndësishme:

·       Skemën e fermerëve, përmes kompensimit të TVSH-së në normën 10%, duke iu lënë në duar fermerëve minimalisht rreth 1.5 miliardë lekë në vit;

·       Rivlerësimin e pasurive të paluajtshme; Norma e rivlerësimit është 5 % dhe do zbatohet përgjatë gjithë vitit 2026.

·       Zbatimin e Paqes Fiskale, si një reformë që synon të ndërtojë një marrëdhënie të re besimi mes biznesit dhe shtetit.

Me lejoni të kaloj tani, te SHPENZIMET PUBLIKE, që në projektbuxhetin 2026 parashikohet të arrijnë në 886.8 miliardë lekë, ose 31.9% të PBB, me një rritje prej rreth 55 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2025.

Investimet publike do të jenë mesatarisht 6.5% e PBB gjatë 2026-2028, të përqendruara në projekte strategjike për infrastrukturën, digjitalizimin dhe energjinë e rinovueshme, si pjesë e Planit të Rritjes së BE.

Shpenzimet e personelit për vitin 2026, reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, koston e plotë të indeksimit të pagave në nivelin 2.5%, si dhe efektet e hyrjes në fuqi të pagës minimale prej 50 mijë lekë në muaj. Sikundër e përmenda edhe në fillim të fjalës sime kostoja totale e rritjes së pagës minimale së bashku me indeksimin parashikohet rreth 10 miliardë lekë.

Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike në nivel qendror për 87,112 punonjës planifikohen në masën 140.1 miliardë lekë ose 5% e PBB.

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2026 janë parashikuar në masën 81 miliardë lekë ose rreth 2.9% e PBB-së. Në këtë zë është programuar mbështetja me prioritet e politikave ekzistuese të qeverisjes qendrore si: skema e fermerëve, mirëmbajtja e rrugëve nacionale, mirëmbajta e sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe siguria kibernetike, programet e nxitjes së punësimit, skemat për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe mbështetja për arsimin dhe sportin.

Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 64.2 miliardë lekë ose 2.3% të PBB, duke përfshirë në të dhe një rezervë prej 6.3 miliardë lekë për të mitiguar risqet e mundshme nga luhatjet e normave të interesit, kursit të këmbimit etj..

Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 2.45 miliardë lekë ose rreth 0.1% e PBB. Subvencionet shtetërore për vitin 2026 janë përqëndruar në financimin e skemave të nxitjes së punësimit, mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve bazuar në performancën e tij, si dhe në mbulimin e një pjese të shpenzimeve të aktivitetit hekurudhor.

Shpenzimet e fondeve speciale ku përfshin shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve. Këto shpenzime janë planifikuar në vlerën prej 286.6 miliardë lekë.

Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2026, parashikohet në masën 204.1 miliardë lekë ose 7.3% e PBB. Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 1.65 miliardë lekë dhe 10 miliardë lekë për bonusin mujor të pensionistëve, i cili planifikohet të shtrihet dhe në periudhën afatmesme.

Ndërsa, shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2026 janë parashikuar në masën 67.3 miliardë lekë ose 2.4% e PBB.

Shpenzimet për Fondin e Kompensimit në vlerë të Pronarëve parashikohen në total në masën 3.5 miliardë lekë, me një shtesë prej 500 milionë lekë, krahasuar me vitin 2025.

Shpenzime të tjera sociale, përfshin fondet për pagesën e papunësisë, aftësisë së kufizuar, ndihmës ekonomike, dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë dhe bonusin e lindjeve:

·       Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 1 miliard lekë;

·       Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 23.9 miliardë lekë ose 0.9% e PBB;

·       Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1.5 miliardë lekë;

·       Për bonusin e bebeve lindjeve është parashikuar një fond prej 2.3 miliardë lekë.

Investimet Publike për vitin 2026 janë planifikuar në masën ose 179.6 miliardë lekë 6.5% e PBB. Në këtë total janë të përfshira dhe 6.8 miliardë lekë financime të pritshme mbi bazë projektesh nga Plani i Rritjes me BE si dhe fondi i Rindërtimit në shumën 5 miliardë lekë. Në planifikimin e investimeve për vitin 2026 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të brendshëm dhe të huaj dhe do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim. Në raport me buxhetin e rishikuar të vitit 2025, vëllimi i investimeve publike në vitin 2026 parashikohet me rreth 15.5 miliardë lekë më shumë.

Për sa i përket MBËSHTETJES SË SEKTORËVE PRIORITARË, fillimisht dëshiroj ta filloj me :

Arsimin, ku parashikojmë që për vitin 2026 shpenzimet totale të sektorit të jenë 89.8 miliardë lekë ose 3.2% në raport me PBB-në. Krahasuar me buxhetin 2025 janë 4.4 miliardë lekë më shumë.

Në këtë sektor do të financohen me përparësi gjatë vitit 2026,  përveç përfshirjes së efektit të plotë të indeksimit të pagave për mësuesit dhe pedagogët nga 1 Janar 2026, politikat si vijon:

•         Tekste shkollore falas nga klasa e parë deri në klasën e nëntë për rreth 220,000 nxënës;

•         Tekste shkollore falas për rreth 15,000 nxënës nga shtesa sociale në nevojë në arsimin e mesëm të lartë;

•         Bursa financiare, si dhe kuota ushqimore për 4,000 nxënës me nevoja te veçanta;

•         Sigurim shërbim transporti falas për 35,000 nxënës dhe 13,500 mësues;

•         Financim i programit pas shkollor (after school) si projekt pilot;

Sa i përket Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të ndalem në një analizë për secilën fushën më vete nisur nga rëndësia dhe prioriteti që mbart secila prej tyre në këtë projektbuxhet.

Shëndetësia

Shpenzimet e sektorit të shëndetësisë për vitin 2026 planifikohen të jenë në  masën 81.2 miliardë lekë dhe rreth 2.9% të PBB-së ose 4.9 miliardë lekë më shumë se Buxheti 2025.

 Theksoj që përveç indeksimit të pagave dhe njehsimit të vjetërësisë për mjekët dhe infermierët me sistemin e nëpunësve civil që do të materializohet prej 1 Janarit 2026, projektbuxheti 2026 do të financojë me prioritet këto politika:

•      Trajtimi me recetë rimbursimi të barnave për rreth 400 mijë pacientë;

•      Financimi me 1.5 miliardë lekë më shumë për rimbursimin e barnave onkologjike në shërbimin parësor dhe  sigurimin e tyre në të gjithë sistemin spitalor;

•      Financimi i paketave të miratuara të shërbimit spitalor në spitalet publike e jopublike përfshirë këtu paketën e re për trajtimin e trombektomisë;

•      Rikonstruksion i një sërë spitaleve rajonale dhe qendrave shëndetësore;

•      180,000 fëmijë dhe 280,000 qytetarë do të përfitojnë nga mbrojtja nëpërmjet programit kombëtar të vaksinimit, etj..

Mbrojtja sociale:

Shpenzimet për mbrojtjen sociale, si sektor, për vitin 2026 parashikohen të jenë 257.3 miliardë lekë ose rreth 9.2% e PBB. Krahasuar me Buxhetin 2025 do të kemi një shtesë prej 11.6 miliardë lekë.

Projektbuxheti 2026 garanton rritjen e qëndrueshme të mburojës sociale për shtresat në nevojë, me fokus tek fëmijët, nënat më shumë fëmijë, të moshuarit dhe familjet. Nga programet e mbrojtjes sociale përmendim:

•      61,000 përfitues nga skema e ndihmës ekonomike;

•      94,000 përfitues si persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarë të tyre;

•      8,300 gra të papuna me 3 apo më shumë fëmijë deri në 18 vjeç që mbështeten me kontribute shoqërore për periudhën e kujdesit;

•      745 milionë lekë shpenzime korente për Strehimin Social, përfshirë edhe skemën e re me norma interesi të lehtësuara për punjonjësit e Administratës Publike;

•      780 mijë përfitues për skemat mbështetëse të pensioneve;

•      33,000 të porsalindur do të përfitojnë nga programi i “Bonusit të Bebes”.

Bujqësia do të përfitojë rreth 16.3 miliardë lekë në vitin 2026 ose 0.6% të PBB. Krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2025, ky sektor do të përfitojë rreth 1.3 miliardë lekë më shumë.

Ndër prioritetet kryesore që parashikohet të financohen për bujqësinë janë:

Skema kombëtare e fermerëve dhe e subvencionimit të naftës, me një fond total 5.14 miliardë lekë në vitin 2026 i cili parashikohet me rritje rreth 700 milionë lekë krahasuar me buxhetin e rishikuar 2025, duke shënuar kësisoj mbështetjen më të madhe direkte deri më tani të akorduar nga buxheti i shtetit për këtë qëllim.

Por, kjo nuk është masa e vetme e natyrës financiare e ndërmarrë nga Qeveria për fermerët, pasi në projektbuxhetin 2026, sikurse e përmenda më lart tek paketa fiskale, parashikohet që ata të përfitojnë minimalisht rreth 1.5 miliardë lekë nga skema e kompensimit të TVSH.

Gjithashtu, fermerëve do të vijojë t’ju ofrohet mundësia e përfitimit nga Garancisë Sovrane me një fond total prej 3 miliardë lekësh nëpërmjet kredive që dotë jepen nga bankat e nivelit të dytë.

Në fushën e Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit synohet fuqizimi i sistemit të kontrollit dhe inspektimit, duke përfshirë të gjithë zinxhirin ushqimor nga ferma në tavolinë;

Lidhur me Menaxhimin e Infrastrukturës së Ujitjes dhe Kullimit, fokusi do të jetë në rehabilitimin e kanaleve ujitës dhe investimeve në infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytja, nëpërmjet rehabilitimit/ndërtimit të argjinaturave mbrojtëse me një fond total prej 2.6 miliardë lekë nga të cilat 1.15 miliardë janë fonde të dedikuara për bashkitë.

Shpenzimet për Infrastrukturën dhe Energjinë parashikohen në vlerën 78.3 miliaardë lekë ose 2.8% e PBB-së. Krahasuar me Buxhetin 2025 janë 3.1 miliardë lekë më shumë.

Ndër projektet më të rëndësishme mund të përmendim:

•      Mirëmbajtjen e 3,522 km rrugë;

•      Financimin e rrugës Elbasan – Lekaj;

•      Zgjerimin e Autostradës Tiranë-Durrës dhe Berat-Ballaban;

•      Zgjerimin e rrugës së Ksamilit dhe Ndërtimi By Pass Sarandë;

•      Ndërtimin e rrugës  Kashar - Nyja Vaqarr dhe Rikonstruksion i rrugës së vjetër Kombinat- Ndroq – Plepa;

•      Zgjerimin e rrugës Elbasan -Qafë Thanë;

•      Rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës - Tiranë dhe ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë – Rinas;

•      Rehabilitimin e linjës hekurudhore Vore - Hani i Hotit;

•      Rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë;

•      Projektet në infrastruturën e ujësjellës-kanalizimeve do të kapin  vlerën totale prej 11.8 miliardë lekë;

•      14.75 miliardë lekë do të shpenzohen për ndërtimin e portit të ri të Durrësit (Porto Romano).

Për Digjitalizmin, fondet  në projektbuxhetin 2026 parashikohen në rreth 18.9 miliardë lekë, nga të cilat :

•         Mirëmbajtja sistemeve qeveritare, blerja e licencave dhe shërbimeve të ndryshme nga Microsoft, si dhe ofrimi i shërbimit të sigurisë kibernetike me një kosto totale rreth  10.2 miliardë lekë;

•         Projektet e ndryshme për infrastrukturën digjitale dhe sigurinë kibernetike do të financohen me një fond total prej 7.3 miliardë lekë.

Lidhur me procesin e Rindërtimit nga tërmeti i vitit 2019, gjatë periudhës 2020-2025, janë programuar dhe financuar me prioritet skemat dhe projektet deri në përmbylljen e plotë të këtij procesi.

Fondi i Rindërtimit i planifikuar për vitin 2026 kap vlerën e 5 miliardë lekë. Theksoj se dhe në këtë projektbuxhet, ruajmë fleksibilitetin e transferimit të fondeve buxhetore të pashpenzuara, me qëllim përshpejtimin e mbarimit e këtij procesi.

Për Mbrojtjen synohet të garantohet respektimi i angazhimit të shtetit shqiptar, i dakordësuar në  Samitin e NATO-s në Hagë në Qershor 2025.

Për këtë qëllim, në vitin 2026, Ministria e Mbrojtjes do të përfitojë rreth 58.9 miliardë lekë ose rreth 2.12% të PBB dhe rreth 10.2 miliardë lekë më shumë se në vitin 2025.

Për vitin 2028 shpenzimet parashikohet të arrijnë në rreth 69.3 miliardë lekë (2.25% të PBB) dhe në vitin 2035 ato do të zënë 3.5% të PBB.

Për vitin 2026, shpenzimet buxhetore për Drejtësinë dhe Rendin parashikohen në vlerën 59.4 miliardë lekë ose 2.1% të PBB-së. Krahasuar me Buxhetin 2025 do të akordohen rreth 5.8 miliardë lekë më shumë.

Në fondin total, përfshihen 26.2 miliardë lekë për të siguruar realizimin optimal të veprimtarisë funksionale të institucioneve të sistemit të drejtësisë, si dhe zbatimin e disa projekteve të rëndësishme në përmirësimin e infrastrukturës së insitucioneve të rehabilitimit dhe vuajtjes së dënimit.

Përpara se të paraqes objektivat e buxhetit të pushtetit vendor për vitin 2026, dëshiroj të ndalem tek respektimi i një prej rregullave fiskalë të sanksionuar në ligjin organik të buxhetit, ai i mbajtjes së pagesave buxhetore të kontratave koncesionare/PPP brenda nivelit prej 5% të totalit të të ardhurave buxhetore të vitit paraardhës. Ky rregull për projektbuxhetin 2026, sikurse dhe për vitet e kaluara, respektohet në mënyrë rigoroze duke rezultuar me pagesa buxhetore që kapin 1.7% të totalit të të ardhurave tatimore të pritshme për vitin 2026 (krahasimi bëhet me faktikun).

Ky rregull do të vijojë të respektohet edhe për vitin 2027 dhe 2028, ku përqindja e pagesave buxhetore të kontratave koncesionare/PPP ndaj totalit të parashikuar të të ardhurave tatimore të një viti më parë, parashikohet të ulet në nivelin mesatar prej 1.3%.

Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2026 janë parashikuar në masën 97.7 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 9% krahasuar me buxhetin e vitit 2025. Këto shpenzime përfaqësojnë 3.52% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 3.4% që përfaqësonin në vitin 2025 dhe 2.3% në vitin 2015. Transferta e pakushtëzuar për vitin 2026 është parashikuar në vlerën 27.8 miliardë lekë, që përbën një rritje prej 1.6 miliardë lekë ose rreth 6% më shumë se në vitin 2025. Krahasuar me vitin 2015,  si viti para zbatimit të reformës administrativo-territoriale, kjo transfertë është rritur me 15.5 miliardë lekë, ose më shumë se dyfish.

Përveç transfertës së pakushtëzuar, në vitin 2026 parashikohen edhe këto fonde shtesë:

·       13.8 miliardë lekë si transfertë e pakushtëzuar sektoriale për funksionet e reja;

·       200 milionë lekë si grant performance, që përdoret si mekanizëm financiar për nxitjen e performancës në qeverisjen vendore;

·       5.5 miliardë lekë si transfertë sektoriale për rritjen e pagave.

 

Në total, granti nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor në vitin 2026 do të arrijë në 47.3 miliardë lekë, nga 43.1 miliardë lekë në vitin 2025, një rritje prej 4.2 miliardë lekësh ose 9.7%.

Në përfundim dëshiroj të ritheksoj edhe një herë se Projektbuxheti 2026, garanton: rritjen e mirëqenies së qytetarëve, një ekonomi më të qëndrueshme, konsolidim të mëtejshëm fiskal, duke siguruar gjithashtu edhe përmirësimin e shërbimeve publike, por dhe forcimin e shtetit ligjor.

Të gjitha këto objektiva janë plotësisht të harmonizuara me programin qeverisës 2025–2029, i cili synon ndërtimin e një ekonomie më konkurruese, më të drejtë dhe më rezistente ndaj sfidave.

Ju falenderoj për vëmendjen!

Shqipëria 10 Nëntor Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan duket se ka humbur pikë gjatë fundjavës duke regjistruar zbritje në raport me javën që lamë pas teksa është blerë sot me 83 lekë dhe është......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat