Shqipëria Postuar më 25 Mars 2026, 13:50

Reforma e inspektimeve, portal për ankesat e qytetarëve - Sula: Të përgatiten të gjitha strukturat për sezonin turistik

Nga Diamila Leka

Reforma e inspektimeve, portal për ankesat e qytetarëve - Sula:

Këtë të mërkurë Inspektoriati i përgjithshëm në bashkërendim me inspektoriatet rajonale të Inspektoriatit Shtetëror të Punës, zhvilloi një takim në kuadër të reformës së inspektimeve. Ndërsa u ndal dhe në krijimin e një portali për ankesat e qytetarëve.

"Ne do të ndërtojmë një instrument të përbashkët, një portal së shpejti, dhe ky portal do të ketë mundësi që çdo qytetar, çdo inspektor, çdo person që të sinjalizojë, do të jetë në formën e një sinjalistike për problematikat që janë në terren, që janë në veprimtari. Pra, mund të mos jenë vetëm sytë e inspektorëve, por edhe sytë e qytetarëve. Të një qytetari, të 10 qytetarëve, të 100 qytetarëve, të 100,000, të 1 milion qytetarëve.

Është padyshim punë e madhe për ne, është padyshim lojë, por stafi i Inspektoratit të Përgjithshëm do ta mbulojë me padyshim. Unë shoh edhe sot që ka momente, jo për Inspektoratin e Përgjithshëm absolutisht, por ka raste dhe informacione, vijnë mesazhe nga qytetarë dhe nga njerëz të tjerë për problematika të caktuara që qëndrojnë, që janë të vërteta dhe që do të duhet të hetohen, padyshim," tha Dashnor Sula Inspektor i Përgjithshëm.

Sula u ndal edhe në përgatitjen e strukturave për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

“Do të duhet që të përgatitemi për sa i përket sezonit turistik. Sezoni turistik është pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme, të gjithë e dimë që ka një ndikim të jashtëzakonshëm në buxhetin e shtetit, sepse të gjithë e dimë që numri i popullsisë duke pasur parasysh turistët qoftë shqiptarë të këtyre apo turistë të huaj, ka të dyfishohet apo gjatë sezonit mund të jetë edhe më shumë. Pra, që do të duhet që trupat inspektuese do të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm që ne t'i marrim të gjitha masat përpara për të bërë të mundur që të jemi të gatshëm për periudhën e sezonit."

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat