Rama: Trotuari është i qytetarëve. Do t'i heqim të gjitha! - “Kufij për hapësirat boshe. Rregullore e re edhe për kantieret e ndërtimit”
31 korriku ka qenë afati i fundit për bizneset që të hiqnin tendat dhe karriget nga trotuaret. Në një komunikim në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama u shpreh se do të hiqet çdo gjë, por është një proces që merr kohë dhe për këtë duhet të bashkëpunojnë edhe qytetarët duke bërë denoncime ndaj atyre që kanë zënë hapësirat e përbashkëta. Denoncimet do të bëhen përmes një portali të posaçëm.
“Trotuari është i qytetarëve dhe në një pjesë të tij, patjetër mund të përdoret për ata qytetarë që duan të ndalen të pijnë një kafe, por duhet të ketë një kufi, një kufi shumë të qartë. Nuk mundet dot nënat me fëmijë, me karroca, të kalojnë përmes karrigeve, nuk mundet dot që i moshuari të mos ketë mundësi të ulet një hapësirë brenda lagjes, sepse aty janë vendosur tendat dhe janë ngritur strukturat metalike të kafeneve të pafundme apo pse aty dikush ka vendosur një tra dhe ka vendosur të mbledhë lekët për një ndërtim pa leje”, tha Rama.
Sipas Kryeministrit, përmes një rregullore të re do të vendosen disa kufij në metra për hapësirat që duhet të jenë plotësisht bosh, ndërsa më pas do të nisë zbatimi i Rilindjes Urbane 2.0, ku aktualisht po punohet me hartimin e projekteve urbanistike që do i shndërrojnë ato në hapësira të bukura.
“Ne po bëjmë rregulloren kombëtare, e cila do të vendosë qartë kufijtë. Kemi studiuar rregulloret e shumë qyteteve. Ka qyete si Barcelona, si Kopenhageni që kanë me një masë metrash të caktuara, disa pika, 1 .8 metra, disa 2 metra, disa 2.5 metra Madridi etj, se sa duhet të jetë absolutisht bosh. Ka qytete të tjera me formula të tjera, por ne do t'i bëjmë shumë të qarta këto ashtu siç do t'i bëjmë shumë të qarta për të gjithë edhe detyrimet dhe nga ana tjetër edhe ndëshkimet”, u shpreh Kryeministri.
Ndërkohë, së shpejti do të ketë edhe një rregullore të re për ndërtuesit e pallateve, ku do të merren masa drastike ndaj atyre që krijojnë shumë zhurma në kantiere, duke shqetësuar banorët e zonës ose që i nxjerrin materialet e ndërtimit në rrugë.
“Rregullorja e re për kantieret e ndërtimit, kush ndërton pallat nuk mund të bëhet problemi i zonës, por duhet të marrë të gjitha masat që zona, aty ku bëhet fjalë për zonë të banuar, të mos e ndjejë fare, mundësisht dhe në mos fare ta ndjejë shumë pak, pra duhet të marrë masat për të bërë rrethimet e duhura të kantierëve, për të bërë pastrimet e duhura, për të mos nxjerrë në rrugë asgjë nga ato që përpunohen aty brenda, jo duke u hapur dhe duke marrë edhe trotuarin se po bën t'i pallat, por duke vendosur streha mbrojtëse etj. Është një rregullore që do t'i jepet ndërtuesve dhe do të ketë masa drastike për ata që cenojnë komunitetin dhe mjedisin”, deklaroi ai.
Rama u shpreh se hapësira e përbashkët është e drejtë e gjithësecilit dhe për të pikasur abuzimet duhet një bashkëpunim i ngushtë midis autoriteteve dhe komunitetit.
Komunikim i Kryeministrit Edi Rama
Përshëndetje të gjithëve!
Jam këtu me ju për të ndarë disa gjëra në ndërkohë që po ecim në rrugën drejt Durrësit.
Sot është 1 gusht, dje ka skaduar afati për tërheqjen e të gjithë llojeve të rraqeve buzë rrugëve kombëtare dhe nga sot do të fillojë hap pas hapi, ndërhyrja e forcave përkatëse të kontrollit mbi territorin.
Ambicia jonë është që të jemi kampionë të Ballkanit në turizëm.
Kemi arritur të bëjmë jashtëzakonisht shumë në vitet e fundit, jashtëzakonisht shumë. Jo më larg se sot paradite më dërguan një raport të një prej instituteve më prestigjioze të botës për mirëqeverisjen, apo për qeverisjen më saktë, por që bën edhe një raport për mirëqeverisjen “Chandler Institute of Governance” në Singapor, i cili e vlerësonte Shqipërinë, si një nga yjet në ngjitje të Europës në mirëqeverisje. E thonë ata, nuk kemi kushërinj në Singapor edhe nuk kemi influencë mbi Institutin e Qeverisjes në Singapor.
Qeveria jonë dhe qeverisja në Shqipëri vlerësohet së bashku me Italinë, Lituaninë, Greqinë, nuk më kujtohet një vend i pestë për çka kanë bërë vitet e fundit në aspektin e reformave të qeverisjes dhe kjo është reale.
Gjithsesi, forcat përkatëse do të duhet të angazhohen shumë më tepër tash e mbrapa, sepse na duhet që të jetojmë dhe të bashkëjetojmë me idenë që të gjithë së bashku duhet tani të japim një cilësi të re vendit tonë, si një destinacion turistik, por edhe si një shtet i së drejtës për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian dhe nuk mund të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian, duke i ndarë mbrapsht punët, disa andej që përpiqen të bëjnë punën, disa nga ana tjetër përpiqen të bëjnë gjithçka, duke mos pyetur për punën e përbashkët.
Në këtë aspekt, territori ka një rëndësi të posaçme. Në këtë aspekt, respekti për hapësirën publike ka një rëndësi të posaçme, në këtë aspekt vendosja qartë e kufirit mes të drejtës së secilit mbi hapësirën e përbashkët dhe të drejtës së kujtdo që do të zhvillojë një aktivitet të caktuar legjitim në këtë hapësirë është një domosdoshmëri.
Nuk mundet dot që të vazhdojmë të lejojmë që bukuritë e mëdha që na ka falur Zoti, natyra për ata që nuk besojnë në Zot, të abuzohen dhe që nga ana tjetër, ne të paraqitemi përpara fëmijëve tanë, në të radhë të parë fëmijëve tanë, pastaj edhe të tjerëve, nëse për veten s'paskemi respekt, - si rraqexhi, si delenxhi, edhe si abuzues me pasuri që nuk janë tonat, janë të përbashkëta, pra nuk janë të kujtdo që do të abuzojë me atë gjë që ka të vetëm.
Tani kemi bërë disa hapa, por dua t'i siguroj të gjithë që ky nuk është një aksion. Kjo është një përpjekje e pandalshme për një mënyrë të re të të qëndruarit së bashku.
Tani ka disa që thonë pse u kujtuat tani? Ne nuk jemi kujtuar tani, dhe unë posaçërisht jam kujtuar që ditën e parë për të drejtuar Tiranën në 2000-shin.
Madje jam kujtuar që ditën e parë që kam hyrë në një zyrë shteti si Ministër i Kulturës, kur mora disa fëmijë dhe pastrova dhe pikturova disa teneqe që ishin vendosur për të rrethuar zonën ngjitur me Ministrinë e Kulturës, ku sot vëllezërit Frashëri në bulevard.
Pra, jo vetëm që nuk jam kujtuar tani, pra nuk jemi kujtuar tani, por jemi kujtuar me kohë, por ama ky është një proces. E sot kuturu janë shtrirë ngrehina të përkohshme fatmirësisht në pjesën e tyre dërrmuese pa leje dhe të gjitha do të kthehen mbrapsht.
Natyrisht nga ana tjetër, sepse shoh disa që ankohen që jo, po hoqi tendat, po mbetën karriget. Duhet ta kuptojmë të gjithë që është Tiranë, Shqipëri, nuk është Teheran, nuk është Iran, pra ne nuk kemi dalë në një sulm për të shkatërruar iniciativat private, sipërmarrjet e vogla, njësitë e shërbimit, jetën mesdhetare të kafeneve, të restoranteve, etj., etj, po për të vendosur kufirin.
Kufiri është i rëndësishëm, për të bërë qartë që trotuari është i qytetarëve dhe në një pjesë të tij, patjetër mund të përdoret për ata qytetarë që duan të ndalen mbi një kafe, por me kufi, me një kufi shumë të qartë. Nuk mundet dot nënat me fëmijë me karroca të kalojnë përmes karrigeve, nuk mundet dot që të moshuarit të mos kenë mundësi të ulen në një hapësirë brenda lagjes, sepse aty janë vendosur tendat dhe janë ngritur strukturat metalike të kafeneve të pafundme, apo sepse aty dikush ka vendosur një tra dhe ka vendosur arbitrarisht të mbledhë lekët për një parkim pa leje, apo dikush tjetër ka vendosur të lidhë zorrën me sistemin e ujit, apo të hapë një pus për të bërë lavash makinash apo bërë një seri etj. Por ama, nga ana tjetër, duhet dhe durim, sepse janë shumë, janë shumë dhe po ashtu, duhet durim edhe për faktin se disa nuk marrin vesh.
Ti i shkon e heq, i thua shtyu këtu, ata shtyjnë përpara, etj., etj. Dhe e gjithë kjo do të adresohet hap pas hapi. Ç'po bëjmë ne? Ne po bëjmë rregulloren kombëtare, e cila do të vendosë qartë kufijtë, kemi studiuar rregulloret e shumë qyteteve. Ka qytete si Barcelona apo si Kopenhageni që i kanë me një masë metrash të caktuar, disa i kanë 1.8 metra, disa 2 metra, disa 2.5 metra, Madridi e tjerë e tjerë. Se sa duhet të jetë absolutisht bosh. Ka qytete tjera që i kanë me formula të tjera, por do t'i bëjmë shumë të qarta këto, ashtu sikundër do t'i bëjmë shumë të qarta për të gjithë, edhe detyrimet, detyrimet edhe nga ana tjetër, ndëshkimet.
Tani për të ardhur tek ndëshkimet është shumë e rëndësishme të kuptohemi që këtu nuk është ideja që ‘’hajde o burra të ndëshkojmë’’. Ja urdhëro se, meqë po edhe po lexoj, kanë lënë platformat, kanë lënë dërrasat. Do hiqen të gjitha, zotëri, do hiqen të tëra.
Dhe do të hiqen hap pas hapi dhe është shumë gjë e mirë që të gjithë ju të merrni pjesë në këtë proces, duke çuar në mënyrë të vazhdueshme denoncime.
Do të hapet edhe një, do të hapet edhe një adresë e posaçme, një portal i posaçëm, ‘’hapësira ime’’, ku të gjithë do mund çojnë denoncime në mënyrë të vazhdueshme, sepse kjo është betejë e vazhdueshme derisa të ndahet mendja që këtu nuk bëhet, pra siç u nda mendja që nuk ndërtohet te Lana, nuk ndërtohet te parku ‘’Rinia’’, nuk ndërtohet këtu e nuk ndërtohet aty, duhet të ndahet mendja që nuk mund të shtyhesh përtej kufirit ku fillon jeta e komunitetit.
Por ndëshkimet janë shumë të rëndësishme, sepse kemi vendosur plazhet publike. Jemi shumë më mirë se ç'ishin vjet, por nuk jemi aq mirë sa duhet, sepse nga një anë është bërë si lojë mace me miun, nga ana tjetër, bashkitë nuk janë angazhuar në mënyrë të plotë për të vendosur çadra, për të vendosur shezllonet e tyre. Pra, nuk është një plazh publik, nuk mund të jetë thjesht një territor bosh. Ok, ti e lë dhe pjesët bosh për ata që kanë nostalgji për peshqirin, por siç e shihni, nuk ndodh, sepse plazhet publike nuk para frekuentohen shumë, duhen përmirësuar kushtet.
Nga ana tjetër, për ata që e bëjnë këtë lojë, ‘’macja me miun’’, ndëshkimet janë shumë të forta. Pra, nuk mund të jetë që ne të angazhojmë forcat, të angazhojmë policitë, të angazhojmë inspektorët, të paguajmë naftë, të angazhojmë kohë për të shkuar dhe për të marrë masë dhe pastaj, sa kthejmë kurrizin, forcat e ligjit përsëri fillon loja nga e para. Do të jenë ndëshkime të atilla që mos i shkojë mendja njeriut aq kollaj që të fillojë lojën e parë. Tjetra është gjë që është e rëndësishme, është mirë po shkulim këto, po çfarë vjen mbrapa? Atëherë mbrapa vjen Rilindja Urbane 2.0. Do të jemi duke u përgatitur, kemi ngritur grupe, që hap pas hapi, këto hapësira t'i kthejmë në hapësira të bukura për komunitetin. Për shembull, pastrojmë tek ‘’21 Dhjetori’’, pastrojmë tek ‘’Komuna e Parisit’’, pastrojmë tek ‘’5 Maji’’, etj, por nuk mundet dot që gjërat të mbeten ashtu. Do duhet të ndërhyjmë me projekte urbanistike për të krijuar hapësira të bukura publike. Ata që kanë prona dhe që i përdorin si parkime në mënyrë të paligjshme, janë të ftuar të vijnë të kërkojnë leje dhe të ndërtojnë parkime.
Nuk mund të ndërtojnë dot pallatet brenda pallatit. Po mund të ndërtojmë parkime, parkime me 2 apo 3 kate, të cilat mund të jenë godina shumë të bukura që mund të shfrytëzohen. Nga ana tjetër, kemi filluar punën me një prej ekspertëve më të famshëm në botë, i cili ka punuar në shumë qytete dhe faktikisht është bërë shumë i famshëm me të ashtuquajturit super blloqet e Barcelonës, për reduktimin e trafikut, për rritjen e hapësirave pedonale, për uljen e shpejtësisë, etj., dhe do të futet edhe ky komponent. Por një gjë, një gjë do duhet të themi që është shumë e rëndësishme të kemi durim. Është shumë e rëndësishme të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin. Është shumë e rëndësishme secili të bëjë denoncimin e vet.
Dhe është shumë e rëndësishme që të jetë e qartë që këtu nuk ka absolutisht, nuk ka për t'u lejuar asgjë selektive. Nuk ka për t'u lejuar! Sigurisht tentativat do bëhen, sigurisht dikush do kthej kurrizin, sigurisht dikush do mbylli sytë. Këto janë të pashmangshme, por nuk ka për t'u lejuar asgjë selektive. Dhe si nuk do lejohet asgjë selektive, duke bashkëpunuar komuniteti me autoritetet, duke këmbëngulur, duke denoncuar, duke insistuar dhe duke çuar përpara këtë proces të përbashkët. Tjetra gjë shumë e rëndësishme është rregullorja e re për kantieret e ndërtimit. Kush ndërton pallat, nuk mund të bëhet më problemi i zonës, por duhet të marrë të gjitha masat që zona aty ku bëhet fjalë për një zonë të banuar, të mos e ndjejë fare mundësisht, edhe në mos fare, ta ndjejë shumë pak më pak. Pra, duhet të marrë masat për të bërë rrethimet e duhura të kantiereve, për të bërë pastrimet e duhura. Për të mos nxjerrë në rrugë asgjë nga ato që po përpunohen aty brenda. Jo duke u hapur e duke marrë edhe trotuarin, se po ndërton ti pallat, por duke bërë kalimet në trotuar me strehën mbrojtëse, etj. Është një rregullore krejt e re që do të jepet në ndërtuesve dhe masat për ta do të jenë drastike në rast se do të cenojnë komunitetin, në rast se do të cenojnë mjedisin e kështu me radhë. Tjetra është që ne nuk po bëjmë në këtë, dhe kjo është shumë interesante për ta ditur, nuk po bëjmë në këtë përpjekje të një, si të thuash, punë vetëm për të hequr platforma, tenda apo struktura të përkohshme, por edhe një kontroll të kantierëve, mirëpo kantierët nuk dalin në televizor. Nuk dalin televizor sepse sikundër edhe kur beteja shkon në gjykatë, ata kanë një forcë të caktuar, kanë një forcë të caktuar për të kontrolluar mediat, kanë një forcë të caktuar për të kontrolluar gjykatat. Gjithsesi, kemi bërë konfiskime përsëri dhe do vazhdojmë të bëjmë konfiskime dhe sekuestrime. Pavarësisht se rrugës na del dhe ndonjë si një gjykatës i pacipë, krejtësisht i pacipë, që merr masë sigurie për një pallat të tërë dhe në duar pa leje, që tani më është kthyer në një godinë për agjencinë shtetërore të kadastrës, e cila duhet të largohej nga godina ekzistuese, sepse është me godinë me rrezik qysh pas rënies të tërmetit, edhe u sistemua, dhe tani del ky tipi edhe vë masë sigurie për ata që kanë ndërtuar komplet pa leje, që është një krim, që është një vepër penale.
Gjithsesi, këto janë sfida. Këto janë sfida por Shqipëria e bukur, Shqipëria që jeton në harmoni me të drejtat e njerëzve për të qenë zotër të hapësirës publike, që jeton në harmoni me të drejtën e njerëzve për të zhvilluar pronat e tyre, dhe që jeton në harmoni me natyrë është një është një ambicie që është një detyrim radhë të parë i gjeneratës tonë, është detyrimi i kësaj kohe. Dhe në këtë kohë, kur forcat e zhvillimit janë bërë shumë të mëdha është shumë e rëndësishme që tani të vendosemi shumë më fortë në mbrojtje të natyrës, të vendosemi shumë më fortë në mbrojtje të ekuilibrave, të ekuilibrave të humbur, siç e vumë re në Tiranë.
Dhe e fundit që kam është, unë në fushatën e fundit isha në listën e Tiranës dhe jam edhe deputet i Tiranës. Dhe kush thotë që po si e qysh, dua t'i them që po bëj siç kam bërë në mënyrë më të posaçme dhe siç do vazhdoj të bëj për Vlorën dhe për Durrësin, sepse më kanë nderuar edhe si deputetin e tyre, po bëj atë që duhet të bëj edhe si deputet i Tiranës.
Këto kisha për të ndarë në mënyrë të përgjithshme dhe jo të renditur dhe krejt sportive kështu këtu me ju. Dhe në ndërkohë i përshëndes dhe disa çuditërisht, edhe në mes vapës nuk kanë asnjë punë më të mirë për të bërë dhe nuk ndjejnë asnjë kënaqësi tjetër përveçse të lëshojnë fjalë, fjalë të pa hijshme, po me sa duket, edhe dielli bën punën e vet. Por s’ka problem!
Ju falënderoj të gjithëve për durimin, vëmendjen, mbështetjen dhe ju lutem shumë, edhe më shumë durim, edhe më shumë vendosmëri, edhe më shumë bashkëpunim, edhe mos u kurseni në hedhjen e informacioneve dhe në dërgimin e denoncimeve për të gjitha rastet kur të shikoni që ka nevojë për ndërhyrje, qoftë kur ende nuk ka ardhur vala e goditjes, qoftë kur mbas valës së goditjes dikush, disa rikthehen tek avazi i vjetër. Shumë, shumë faleminderit të gjithë.

“Kosova, tarifë zero për mallrat e SHBA” - Vendimi i qeverisë, Kurti: Ndikon në rritjen e tregtisë dhe investimeve
Qeveria e Kosovës ka hequr të gjitha tarifat tregtare për mallrat e importuara nga SHBA. Në mbledhjen e sotme, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njoftoi......

Shqipëria, në “shënjestër” të hakerave - AKSK: 43 incidente në gjysmën e parë të vitit. Më i rëndi, ai ndaj Bashkisë së Tiranës
Shqipëria po vihet gjithnjë e më shumë në shënjestër të hakerave për vjedhjen e të dhënave dhe ndërprerjen e shërbimeve publike. Gjatë këtij viti,......

Shqipëria, e “përkëdhelura” e Trump në rajon! Vendi ynë, Mali i Zi dhe Kosova, me tarifa 10%. Lehtësohen vendet e tjera
Shtëpia e Bardhë vijoi me zbatimin e strategjisë tregtare të Presidentit Trump, duke krijuar tarifa të reja përmes një urdhri ekzekutiv. Masat e reja......

Marrëveshja për emigrantët/ Gjykata e BE-së hedh poshtë pretendimet e qeverisë italiane!
Gjykata Europiane e Drejtësisë ka marrë vendim të premten që vendet e Bashkimit Europian mund t’i përshpejtojnë refuzimet e kërkesave të azilit për personat......

Microsoft arrin vlerën 4 trilionë USD! - Investimet në “IA” dhe bashkëpunimi me OpenAI nxitën rritjen
Microsoft arriti vlerën e 4 trilionë dollarëve në tregun e aksioneve, duke u bërë kompania e dytë e tregtuar publikisht pas Nvidia-s, që realizon këtë moment......

Trump shton presionin ndaj industrisë farmaceutike - U kërkon kompanive të ulin çmimet e barnave në SHBA
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Donald Trump u dërgoi letra drejtuesve të 17 kompanive të mëdha farmaceutike, duke u kërkuar të ulin çmimet e barnave......

BE, gati të financojë një program të ri për Shqipërinë - Nga lufta kundër korrupsionit, te siguria ushqimore. Ku do të shkojnë 67.3 mln euro?
Në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III), Bashkimi Evropian do t'i ofrojë Shqipërisë 67.3 milionë euro për mbështetjen e luftës......

Subvencionim i kredisë me interes 0% për banesa - Cilat janë kategoritë përfituese? Programi zbatohet nga Enti Kombëtar i Banesave
Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim në mbështetje të familjeve në nevojë për strehim, duke përcaktuar procedurat dhe dokumentacionin për përfitimin......