Shqipëria Postuar më 20 Korrik 2026, 13:54

Rama: Shqipëria e para në Ballkanin Perëndimor për performancën mjedisore, reflektimi për mbrojtjen e natyrës mbetet i domosdoshëm

Nga SCAN TV

Rama: Shqipëria e para në Ballkanin Perëndimor për

Në një komunikim publik, Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria është renditur e para në Ballkanin Perëndimor për performancën mjedisore sipas raportit Environmental Performance Index 2026, duke e cilësuar këtë një vlerësim të rëndësishëm nga institucionet ndërkombëtare.

Rama bëri të ditur se Shqipëria renditet e 46-ta nga 177 vende në botë dhe ka shënuar progresin më të madh në rajon gjatë dhjetë viteve të fundit. Sipas tij, vendi renditet gjithashtu i 21-ti në botë për zbutjen e ndryshimeve klimatike.

Kryeministri theksoi se këto rezultate nuk janë vlerësime të bëra nga vetë qeveria, por përfundime të institucioneve akademike dhe ndërkombëtare që matin performancën mjedisore me metodologji të njëjtë në nivel global.

Rama u ndal edhe te transformimi i Shqipërisë në raport me mbrojtjen e mjedisit, duke kujtuar se vite më parë vendi përballej me prerje masive pyjesh, gjueti të paligjshme dhe ndotje të lumenjve, ndërsa sot, sipas tij, ka një ndërgjegjësim më të madh shoqëror për çështjet e natyrës.

Ai vlerësoi edhe protestat e zhvilluara për mbrojtjen e mjedisit, duke i konsideruar si shenjë të një shoqërie që është bërë më e ndjeshme ndaj ruajtjes së biodiversitetit.

Megjithatë, Kryeministri nënvizoi se renditja në raport nuk duhet të shihet si arsye për vetëkënaqësi.

“Ky raport nuk është një medalje për t'u vetëkënaqur, por një përgjegjësi shumë e madhe dhe një kujtesë se duhet të dëgjojmë më shumë, të korrigjojmë më shpejt kur është e nevojshme dhe të mbrojmë me edhe më shumë vendosmëri ekuilibrin mes zhvillimit dhe natyrës”, u shpreh Rama.

Ai pranoi se qeveria ka bërë edhe gabime gjatë procesit të zhvillimit, duke theksuar se askush që qeveris nuk mund të pretendojë se ka gjithmonë të drejtë.

Në përfundim, Rama tha se ndërtimi i Shqipërisë europiane kërkon që ekonomia, mjedisi dhe faktet të ecin së bashku, ndërsa paralajmëroi se reflektimi i premtuar pas debatit publik për mbrojtjen e flamengove dhe mjedisit do të prezantohet së shpejti.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat