Shqipëria Postuar më 11 Maj 2026, 13:54

Rama: OBP, kapërcim i madh për transparencën dhe eficiencën në tendera

Nga SCAN TV

Rama: OBP, kapërcim i madh për transparencën dhe eficiencën

Kryeministri Edi Rama vlerësoi rolin e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP), duke e konsideruar si një nga instrumentet kryesore të reformës në prokurimet publike dhe në shkëputjen e ministrive nga proceset e tenderimit. Në fjalën e tij, Rama theksoi se krijimi dhe funksionimi i OBP-së ka sjellë një “kapërcim të madh” në mënyrën sesi realizohen procedurat e blerjeve publike në vend.

“Te kursimet, ka një rol të posaçëm, Operatori i Blerjeve të Përqendruara,” u shpreh Rama.

Sipas Kryeministrit, ministritë dhe ministrat nuk kanë më lidhje direkte me tenderat, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e procedurave po transferohen gradualisht drejt Operatorit të Blerjeve të Përqendruara. Ai nënvizoi se ky proces synon krijimin e një strukture të specializuar, me ekspertizë të dedikuar për menaxhimin e procedurave komplekse të prokurimit publik.

“Operatori i Blerjeve të Përqendruara na ka dhënë mundësinë të bëjmë një tjetër kapërcim të madh që të mos bëjmë më tendera në ministri”, deklaroi Rama, duke shtuar se procesi po zgjerohet gradualisht edhe drejt agjencive dhe pushtetit vendor, përmes dialogut dhe bashkëpunimit me njësitë vendore.

Kryeministri theksoi se pushteti vendor ka autonominë e tij dhe qeveria nuk mund të imponojë mënyrën sesi realizohen tenderat, por sipas tij, po krijohet një model bashkëpunimi që synon rritjen e eficiencës, profesionalizmit dhe standardizimit të procedurave të prokurimit.

Në vlerësimin e tij, Rama u shpreh se proceset e prokurimeve publike janë shumë më komplekse nga sa perceptohen shpesh në debatin publik dhe se ngritja e një strukture të “superspecializuar” si OBP është thelbësore për garantimin e cilësisë dhe transparencës në përdorimin e fondeve publike.

Operatori i Blerjeve të Përqendruara është një nga strukturat që qeveria ka promovuar vitet e fundit si pjesë të reformës për centralizimin e procedurave të prokurimit, standardizimin e specifikimeve teknike dhe uljen e kostove për institucionet publike. Sipas të dhënave të bëra publike më herët nga vetë institucioni, OBP ka realizuar mbi 1 mijë procedura prokurimi për dhjetëra institucione, duke raportuar mbi 40 milionë euro kursime për buxhetin e shtetit në 2 vite operim.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat