Shqipëria Postuar më 14 Qershor 2026, 10:25

Rama: Nga 38 në 64 pikë, Shqipëria ka dyfishuar rezultatin për transparencën buxhetore

Nga Scan TV


Në podcastin “Flasim”, Kryeministri Edi Rama u ndal edhe te një vlerësim ndërkombëtar për Shqipërinë në fushën e transparencës buxhetore. Duke iu referuar rezultateve të Anketës së Buxhetit të Hapur 2025, Rama theksoi se Shqipëria renditet e para në Ballkanin Perëndimor për transparencën buxhetore, duke e cilësuar këtë si rezultat të reformave, digjitalizimit dhe forcimit të mekanizmave të llogaridhënies gjatë dekadës së fundit.

“Dhe pika e fundit për sot, shënimi i fundit, është një tjetër vlerësim për Shqipërinë si vendi lider në Ballkanin Perëndimor. Për çfarë? Për transparencën buxhetore.

Një vlerësim ndërkombëtar domethënës: Anketa e Buxhetit të Hapur 2025, e realizuar nga një partneritet ndërkombëtar për buxhetin, që e rendit Shqipërinë të parën në Ballkanin Perëndimor për transparencën buxhetore.

Një rezultat i rëndësishëm që mat një nga elementët themelorë të mirëqeverisjes: sa i hapur është shteti ndaj qytetarëve në mënyrën se si mbledh, administron dhe shpenzon fondet publike.

Nga 38 pikë në vitin 2015, Shqipëria është 64 pikë në vitin 2025, pra thuajse dyfishin. Shqipëria ka shënuar progresin më të madh historik në këtë tregues, krahasuar me vendet e tjera.

Ka më shumë rëndësi fakti, madje, se nuk bëhet fjalë për një përmirësim të rastësishëm, por për një rezultat të një dekade reformash, digjitalizimi, rritje standardesh të raportimit dhe forcimit të mekanizmave llogaridhënës.

Dhe, në një kohë kur vendi po afrohet me Bashkimin Europian dhe po tërheq investime gjithnjë e më të mëdha ndërkombëtare, transparenca nuk është vetëm një standard demokratik, ai është një kusht i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për besimin.

Natyrisht, kemi nevojë të bëjmë më shumë në këtë drejtim dhe kemi nevojë të rritemi më shumë. Dhe këtë e bëjmë duke vazhduar punën dhe duke synuar, jo më vendin e parë në rajon, por nivelin mbi mesatar të shteteve anëtare të Bashkimit Europian”, tha Rama.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat